AktualitetPolitikëTë fundit

Prezantohet abetarja unike Shqipëri-Kosovë, Rama: Të ruajmë gjuhën shqipe nga kërcënimet

Kryeministri Edi Rama mori pjesë të dielën në mbrëmje, në ceremoninë e përurimit të Abetares së përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, një tekst i shumëpritur për nxënësit shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës e më tej kudo ata ndodhen, që të mësojnë gjuhën amë, shqipen e mirë, siç i këndonin me plot pasion e të drejtë Rilindasit Shqiptarë.

Rama tha se “kjo Abetare e parë e unifikuar, vjen pas një pune të  përbashkët mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës dhe ishte një sfidë me kohën, pasi hapi vendimtar për t’u nisur në rrugëtimin e realizimit të saj u hodh jo shumë kohë më parë, në një mbledhje të dy qeverive, dhe puna e kërkuar nga të dyja skuadrat e ngritura për këtë qëllim, ishte voluminoze”.

“Ja ku jemi sot, me një Abetare të unifikuar e cila është libër i njëjtë për nxënësit që hyjnë në dyert e shkollës për herë të parë dhe një lajm shumë i mirë është se dhe miqtë, kolegët tanë në Republikës së Maqedonisë së Veriut e përqafuan këtë ide pak më vonë, sepse fillimisht ishte produkt i mbledhjes së dy qeverive”, tha Rama.

Ai shtoi se është më rëndësi që të ruajmë gjuhën shqipe nga kërcënimet për ta zhdukur atë.

“Gjuha Shqipe të mbrohet nga kërcënimet e mëdha. Ka qenë e vështirë rruga e përpjekjeve për të mos u asimiluar dhe zhdukur Gjuha Shqipe e cila vazhdon që të gjallojë në hapësirat që jetojnë shqiptarët, por për të cilën janë dashur sakrifica të jashtëzakonshme. Sot është më vlerë që kjo abetare vjen në 110 vjetorin e pavarësisë si një punë e nisur në vigjiljen e festës sonë kombëtare vitin e kaluar në Elbasan. Programi mes dy qeverive eci shumë shpejt. U ngrit komisioni i përbashkët që ndoqi gjithë procesin. Duhet nga ata që e kanë bërë dhe aprovuar. Kjo është një abetare ndryshe nga e mëparshmja dhe në aspektin e procesit të të mësuarit. Abetarja vjen për herë të parë edhe në versionin digjital që lehtëson punën e mësuesve dhe prindërve”, tha Rama.

“Sot përveç se në Shqipëri, gjuha shqipe ruhet dhe flitet në të gjitha vendet edhe përtej këtij perimetri ku jetojnë shqiptarët dhe ku lindin dhe rriten fëmijë në familje shqiptare, deri në skajin më të largët të globit, Australi. Për ne është barrë e posaçme që këtë gjuhë ta mbrojmë nga kërcënimet që janë përherë e më të pranishme si rezultat i rrjeteve sociale, i një përhumbje të përgjithshme të interesit për librin në tërësi, apo goditjeve të një pas njëshme që gjuha merr, ku pak i kushtohet vëmendjen korrektimit dhe redaktimit në gjuhën tonë. Sot është e domosdoshme të gjejmë rrugët për t’ua treguar sa më mirë atyre që vijnë pas nesh dhe për ta rrënjosur me durim, sesa e vështirë ka qenë rruga e përpjekjeve për të mos u zhdukur gjuha shqipe”, tha kryeministri.

 

Fraksion.com