AktualitetTë fundit

Sulmi kibernetik ndaj sistemit TIMS, MB: Rikthehen në punë dy sportele në Rinas

Ministria e Brendshme njofton se dy sportele në Pikën e Kalimit Kufitar në Rinas janë rikthyer në punë me sistemin TIMS. Ndërkohë që bënë të ditur se shumë shpejt do të ketë rikthim të plotë të këtij sistemi në Rinas dhe në të gjitha pikat e tjera kufitare.

‘Në vijim të punës së pandërprerë nga ekspertët tanë dhe ata të vendeve aleate, aktualisht dy sportele në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas janë rikthyer në punë me sistemin TIMS. Shumë shpejt do të kemi rikthim të plotë të këtij sistemi në Rinas dhe në të gjitha pikat e tjera kufitare.’, njofton Ministria

Kujtojmë se pasi Shqipëria shpalli zyrtarisht prishjen e marrëdhënieve diplomatike, Irani është “hakmarrë” duke ndërmarrë një tjetër sulm kibernetik, kësaj here ndaj sistemit TIMS në vendin tonë. Kreu i qeverisë, EdI Rama tha se prej orësh sistemi TIMS është jashtë funskionit për shkak të sulmit nga Irani, teksa thekson se po punohet në bashkëpunim me aleatët për t’i bërë të padepërtueshme sistemet dixhitale të Shqipërisë.

“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, shkruan Rama.

Kësaj radhë, në sulmin e bërë, Irani nuk është fshehur, por e ka lënë të kuptuar qartë se ata qëndrojnë pas. Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, në kompjuterët e policëve në pikat e kalimit kufitar u ishte shkruar “Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të kultit MEK në Durrës dhe kjo lojë do të vazhdojë”, shkruhej në mesazh. Ky sulm ka ‘paralizuar’ për disa orë pikat e kalimit kufitar të të gjithë vendit, në Rinas, Kakavijë, e Kapshticë, ku policët kanë hapur regjistrat duke punuar manualisht, me qëllim shmangien e radhëve të gjata. Për arsye sigurie, serverat e TIMS janë fikur, njëjtë si ndodhi edhe në rastin e sulmit që iu bë e-Albania, me qëllim për t’i shkëputur nga rrjeti deri në rikuperimin e tyre të plotë.

Ky është sulmi i dytë kibernetik që Irani bën ndaj Shqipërisë. Herën e parë, në korrik të këtij viti goditi shërbimet online, ku prej gati 4 javësh ato mbetën të bllokuara, Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin. Nisur nga “provat e pakundërshtueshme”, siç vetë Rama e bëri të ditur, Shqipëria mori vendimin për të prishur marrëdhëniet diplomatike. Ky vendim është mbështetet nga shtetet aleate, teksa vetëm një ditë më parë, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione për Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë të Iranit (MOIS) dhe Esmail Khatib, Ministrin për aktivitetet kibernetike.

Lajm në përditësim

Numërimi mbrapsht i Tiranës drejt fatkeqësisë ka filluar’, si e paralajmëruan hackerat sulmin kibernetik në Shqipëri (MESAZHI)

“Numërimi mbrapsht i Tiranës drejt fatkeqësisë ka filluar”, ky është mesazhi që hakerat iranianë kanë publikuar në faqen e tyre Homelandjustice. Mesazhi ka qenë një paralajmërim, pak para se të ndodhin sulmet kibernetike ndaj faqehënë të shërbimeve online në vendin tonë si edhe së fundi pas hackerimit të sistemit TIMS.

Sulmi kibernetik në sistemin TIMS, reagon Ministria e Brendshme: Nga të dhënat, është kryer nga e njëjta dorë

Ministria e Brendshme ka reaguar pas sulmit kibernetik në sistemin TIMS të Policisë së Shtetit. Ministria thotë se nga të dhënat paraprake, sulmi duket sikur ka të njëjtët autorë. Për siguri, sistemet e Ministrisë së Brendshme, përfshirë atë TIMS, do të qëndrojnë të mbyllura.

“Mbrëmjen e kaluar sistemet e ruajtjes dhe transmetimit të të dhënave në Policinë e Shtetit janë gjendur nën një sulm kibernetik të ngjashëm me atë që pësoi e-Albania në muajin korrik. Nga të dhënat paraprake rezulton që sulmi të jetë kryer nga e njëjta dorë. Ekspertët tanë bashkë me ata të vendeve tona partnere kanë punuar intensivisht prej momentit të parë kur është detektuar sulmi, për të garantuar së pari pacenueshmërinë e të dhënave dhe më pas neutralizimin e këtij akti kriminal. Për efekt sigurie sistemet tona, përfshi atë TIMS, kanë qëndruar përkohësisht të mbyllura derisa rreziku të shmangej plotësisht. Shumë shpejt sistemi TIMS do të rikthehet në punë. Maksimalisht të vendosur, bashkë me aleatët tanë, vazhdojmë punën për të bërë gjithçka duhet që sistemet tona digjitale të jenë të sigurta dhe shërbimi ndaj qytetarëve të mos ndërpritet në asnjë rast”, njoftoi Ministria e Brendshme.

 

Fraksion.com