AktualitetPolitikëTë fundit

Mandia: Qeveria u shet me 1 euro tokën publike “investitorëve strategjikë”

Partia Demokratike deklaroi sot se, qeveria u shet me çmim 1 euro tokën publike “investitorëve strategjikë”, biznesmenëve të afërt me Ramën, pa dëgjesa, pa transparencë, pa kompensim për pronarët e ligjshëm, pa një plan të qartë.

Në një deklaratë për mediet, Sekretarja për Transparencën, Luftën kundër Korrupsionit dhe Kthimit të Pronave, Ledina Mandia u shpreh se biznesmeni Lorenc Gjikuria, një klient i preferuar i qeverisë, ka përfituar përmes statusit ‘investitor strategjik” 9 mijë m2 për vetëm 1 euro për m2.

“Në korrik të po këtij viti, qeveria i shiti një sipërfaqe toke-truall, prej gati 9 mijë metrash katrorë, kompanisë ‘Green Coast’, me një çmim shitjeje disa herë më të ulët se tregu, me 18.2 euro për metër katror. Në nëntor të 2021, Edi Rama i shiti shoqërisë “Building Construction” 2137 metra katrorë tokë pranë ish-Gardës së Republikës në Tiranë, me çmim 66.9 mijë lekë për metër katror, në funksion të një ndërtimi privat. Ndërsa në prill të vitit 2021, qeveria “Rama” privatizoi me një çmim prej gati 1 mijë lekësh për metër, 55 mijë metra katrorë tokë në Hamallaj të Durrësit, në funksion të ndërtimit të fshatit turistik “Lalzi Marina” nga shoqëritë “Sviluppo Mare 1” dhe “S&D INVEST””, shprehet ajo.

Mandia shton se, Partia Demokratike dënon në vijimësi dhe me forcë trajtimin e pronës publike si çiflig personal të Edi Ramës dhe shpurës së tij.

“Të ashtuquajturit investitorë strategjikë, siç e kemi dëshmuar me fakte në këtë foltore, nuk janë gjë tjetër veçse ‘shokë të partisë dhe familjes’, grabitës të tokave publike, gaztorë të oborrit, apo oligarkë të Rama-Veliajt. Rama iu ka shitur, me çmime të ulëta pronë publike, apo dhënë me qira 1 euro tokë -truall shtetërore, apo edhe privatizuar me çmime qesharake për ndërtimin e resorteve turistikë, klientelës së tij. Në anën tjetër ka ndjekur politikën e refuzimit të kthimit të tokës te pronarët e ligjshëm në këto zona. Kur pronarët e ligjshëm kanë refuzuar t’u shesin tokën këtyre me demek investitorëve strategjikë, në fakt klientë të qeverisë, ai i ka shpronësuar me çmime qesharake. Partia Demokratike, me të ardhur në pushtet, do t’i rishikojë këto kontrata abuzive dhe do të çojë për ndjekje penale të gjithë ata që pronën publike e trajtojnë si ‘tokë të babës”, shprehet ajo.

 

Fraksion.com