Ceremonia e funeralit të Mbretëreshës Elizabeta II mbahet më 19 shtator
Ceremonia e funeralit të Mbretëreshës Elizabeta II do të zhvillohet më 19 shtator në orën 11:00 në Londër, ka njoftuar Pallati Buckingham.
Kjo ditë është shpallur ditë pushimi në gjithë Mbretërinë e Bashkuar nga mbreti Charles III, i cili e ka marrë zyrtarisht detyrën në mëngjesin e 10 shtatorit.
Trupi i pajetë i mbretëreshës do të dërgohet nga Kështjella Balmoral në Edinburg ditën e diel, para se të dërgohet të martën në Londër.
Nga dita e mërkurë, trupi i saj do të jetë në ndërtesën e Parlamentit britanik, deri në ditën e varrimit.
“Ne do të kryejmë detyrën tonë në ditët në vijim me zemrën e rënduar, mirëpo me gatishmërinë për të siguruar një lamtumirë të dinjitetshme për një prej figurave më definuese të kohërave tona”, ka thënë Edward Fitzalan-Howard, duka i Norfollkut.
Mbretëresha britanike ka vdekur më 8 shtator në moshën 96-vjeçare.
Ajo ka mbajtur fronin në Mbretëri të Bashkuar për 70 vjet, duke u bërë monarkja më jetëgjatë në këtë shtet.
Charles III është bërë mbret në momentin që i ka vdekur nëna, mirëpo sipas traditave, Këshilli i Aderimit është mbledhur të shtunën dhe e ka zyrtarizuar pozitën e tij.
Ceremonia është mbajtur në Pallatin Shën James në Londër.
“Jam krejtësisht i vetëdijshëm për këtë trashëgimi të madhe dhe për detyrat e përgjegjësitë e sovranitetit që janë tani mbi mua”, ka thënë mbreti Charles III përgjatë ceremonisë.
Pas përfundimit të ceremonisë, në të cilën kanë marrë pjesë mbi 200 persona, lajmi për mbretin e ri i është kumtuar publikut nga ballkoni.
Më pas kanë luajtur trumbetat dhe është lëshuar himni kombëtar.
Ai është zotuar se do të ndjekë rrugën e “nënës së tij të dashur” për t’i shërbyer kombit.
Fraksion.com