Stafi i ambasadës së Iranit largohet nga Shqipëria, nuk pranoi dorëzimin normal të godinës! RENEA futet për kontroll, më pas e merr nën kontroll policia
Kryeministri Edi Rama u kërkoi diplomatëve iranianë që të lënë Shqipërinë pasi u konfirmua se ata fshihen pas sulmit kibernetik ndaj portaleve qeveritare shqiptare, punonjësit e ambasadës së Iranit në Tiranë lanë ambientet e tyre.
Stafi i ambasadës së Iranit nuk ka dorëzuar çelësat e godinës dhe nuk ka hequr flamurin, për ta dorëzuar në mënyrë normale godinën. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, ka mësuar sot dhe ka ndjekur nga afer operacionin e RENEA-s, e cila është aty për të hyrë në godinë. Antiterrori, RENEA dhe njësia Antieksploziv janë futur në godinën ku ishte ambasada e Iranit dhe kanë filluar kontrollet në të gjitha katet. Më pas pritet që të futet policia dhe ta marrë nën kontroll.
Stafi diplomatik u bë gati që dje për t’u larguar pas ultimatumit të Ramës që pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike të lënë vendin tonë brenda 24 orëve. Trupit diplomatik iranian i janë dashur shumë pak orë për të përgatitur plaçkat për t’u larguar. Gazetari Rusta raporton se tashmë nuk ka mbetur asnjë diplomat iranian në Shqipëri. Shumica e tyre janë larguar në rrugë tokësore nga Maqedonia e Veriut. Report Tv mëson se para largimit, ata kanë djegur edhe disa dokumente, përmbajtja e të cilave nuk dihet ende. Në pamjet e filmuara nga Report Tv vihet re prezencë e madhe policie, me synimin që zhvendosja e diplomatëve të kalojë pa incidente.
Dje në një videomesazh nga Kryeministria, kreu i qeveisë shqiptare tha se pas hetimeve të bëra në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, është arritur në përfundimin se Irani ka angazhuar 4 grupe për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë, ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar. Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, që duhet të largohen nga vendi ynë brenda 24 orëve të fundit, teksa për këtë masë ekstreme, siç e ka quajtur Rama, janë vënë në dijeni edhe aleatët strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike të Shqipërisë. U deshën disa orë që ministria e Iranit të kishte një deklaratë zyrtare ndaj prishjes së marrëdhëniëve diplomatike me vendin tonë për akuza, të cilat i cilëson si të pabaza.
Irani zyrtar mohoi se fshihet pas sulmeve kibernetike në Shqipëri ndërsa përmes një deklarate tha se shkëputja e marrëdhënieve diplomatike është një veprim i pamenduar dhe dritëshkurtër në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme iraniane thuhet se reagimi i menjëhershëm i SHBA-së është dëshmi e një komploti dhe fushate të re kundër Iranit, teksa thotë se Tirana është ndikuar nga një grup terrorist famëkeq i strehuar në Shqipëri, duke iu referuar muxhahedinëve.
Në ambasadën e Iranit ishin 72 diplomatë. Në periudhën e demokracisë, ky është rasti i parë që Shqipëria prish marrëdhëniet diplomatike me një shtet tjetër, ndërkohë që edhe në 2018, Shqipëria ka dëbuar ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Gholamhossein Mohammadnia, për cenim të sigurisë kombëtare. Ky vendim drastik erdhi pas sulmit kibernetik që iu bë Shqipërisë përgjatë muajit korrik ku të gjitha shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht. Shërbimet u kthyen në funksion të plotë pas katër javësh.
Fraksion.com