AktualitetPolitikëTë fundit

Presidenti Bajram Begaj, pret homologun italian Sergio Mattarella: I kërkova të mbyllet sa më shpejt marrëveshja e sigurimeve shoqërore

Presidenti Bajram Begaj, ka pritur homologun italian Sergio Mattarella. Kreu i shtetit italian ndodhet për një vizitë zyrtare 2 ditore në Shqipëri.

Në përfundim ta takimit mes dy delegacioneve, Presidenti Begaj tha në konferencën e përbashkët për shtyp se mirëpret ndihmën e Italisë teksa Shqipëria ka hapur negociatat me BE-në.

“Në rrugëtim e saj euroatlantik kemi qenë me fat që kemi gjetur te Italia një mike të vyer dhe mbështetëse të përjekjeve për integrim. Hapja e negociatave shënon një stacion të rëndësishëm të rrugëtimit tonë që kërkon përkushtim të shtuar.

Me Presidentin biseduam për vijimin e mbështetjes italiane si në rrafshin politik dhe atë teknik për përshpejtimin e procesit të integrimit. Ndamë përkushtimin që institucionet tona duhet të vijojnë bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm. E sigurova Presidentin se ne mirëpresim një prezencë të shtuar të biznesit italian”, tha Begaj.

Sipas tij “diskutuam për marrëveshjen e njohjes së sigurimeve shoqërore. I kërkova Presidentit mbështetje që të përmbyllet sa më parë dhe të pasohet me të tjera nisma. Të dyja palët e konsiderojnë shumë të rëndësishëm bashkëpunimin në luftën kundër lëndëve narkkotike, goditjen e organizatave kriminale, luftën kibernetike etj”.

 

Fraksion.com