AktualitetPolitikëTë fundit

“Mesazhe ngushëllimi”, Vdekja e Mbretëreshë Elizabeth II, Rama: Lamtumirë Mbretëreshë

U nda sot nga jeta mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, në Balmoral në moshën 96-vjeçare, pasi mbretëroi për 70 vjet.

Personalitete të shtetit kanë shprehur mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të mbretëreshës Elizabeth II.

“Mirupafshim Mbretëreshë”, shkroi kryeministri Edi Rama në mesazhin e tij të ngushëllimit në një postim në rrjetet sociale.

Gjithashtu dhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mbretëreshës Elizabeth II.

“Ndarja nga jeta e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elisabeta II, është një lajm i trishtuar jo vetëm për popullin e Mbretërisë së Bashkuar, por për gjithë njerëzimin. Një jetë e tërë në shërbim të kombit, të shtetit dhe qytetarëve”, shprehet Nikolla.

“Mbretëresha Elisabeta II, përbashkuesja e kombit, e pranuar gjerësisht si simbol i stabilitetit të Mbretërisë së Bashkuar dhe botës, e ndihmoi vendin e saj në ndryshimet e mëdha përgjatë shtatë dekadave, për forcimin e identitetit kombëtar, rritjen e ndikimit gjeopolitik dhe të pozitës ndërkombëtare. Pushofshi në paqe, Madhëria Juaj!”, shkruan Nikolla.

Për ndarjen nga jeta të mbretëreshës Elizabeth II shprehu ngushëllime edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka e cila u shpreh se është, “dhimbje e madhe lajmi për ndarjen nga jeta mbretëreshës Elizabeth II”.

“Gjatë mbretërimit të saj 70-vjeçar, ajo i dhuroi udhëzim, motivim, vizion dhe stabilitet Mbretërisë së Bashkuar dhe popullit të saj. Mbretëresha Elizabeth ishte gjithashtu një simbol respekti dhe admirimi për pjesën tjetër të botës”, theksoi Xhaçka.

“Ngushëllimet tona më të ndjera familjes mbretërore dhe popullit të Mbretërisë së Bashkuar në këtë ditë të trishtë”, tha Xhaçka.

Gjithashtu edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla shprehu ngushëllimet duke shkruar në rrjetet sociale, “U prehsh në paqe Mbretëreshë!”.

Mbretëresha erdhi në fron në vitin 1952 dhe dëshmoi ndryshime të mëdha shoqërore.

Me vdekjen e saj, djali i saj i madh Charles, ish-princi i Uellsit, do ta udhëheqë vendin në zi si mbreti i ri dhe kreu i shtetit për 14 mbretëritë e Komonuelthit.

 

Fraksion.com