Ibrahimaj: Paketa e dytë e Rezistencës shkon në çdo familje shqiptare
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se “Paketa e dytë e rezistencës”, e cila do të nis zbatimin nga muaji shtator do të shkojë te çdo familje shqiptare për t’i mbështetur ata për të përballuar efektet e krizës së shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë dhe rritja e çmimit të energjisë.
Në fjalën e saj gjatë prezantimit të paketës antikrizë ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infratstrukturës, Belinda Balluku, ministrja Ibrahimaj, u shpreh se shqetësimi kryesor është përballimi i krizës dhe problematikave të lidhura me të.
“Që në muajin mars kemi ndërmarrë një paketë masash të rëndësishme, me qëllim përballimin e krizës, ku shqetësimi kryesor ishte buxheti i familjes shqiptare, që do të ndikohej, qoftë nga rritja e çmimeve të konsumit, qoftë nga rritja e çmimit të energjisë“, tha ministrja.
Ibrahimaj u shpreh se që në nisje të krizës qeveria vendosi të mos rrisë çmimin e energjisë elektrike për konsumatorin familjarë dhe biznesin.
“Ne vendosëm të mos rrisim çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe biznesin. Rreth 5.6 % e buxhetit të familjes shkon për pagesë energjie elektrike. Nëse ne do të reflektonim çmimet reale, kjo pagesë do të shkonte në 50 % të buxhetit të familjes shqiptare, pra do të shtohej 10-fish. Këtë, ne e ndaluam, duke ndikuar kështu në fuqinë e tyre blerëse”, tha Ibrahimaj.
Ministrja u shpreh se po ashtu, qeveria vendosi të subvencionojë ato individë që nuk do të përballonin dot rritjen e çmimeve të konsumit.
“Më shumë se 500 mijë individë u ndihmuan me anë të paketës së parë, me aq sa ishte rritja e çmimeve në atë moment. Ne ndihmuam në mos rritjen e kostos së prodhimit, duke subvencionuar energjinë elektrike për bizneset e vogla dhe për ato sektorë të prekur nga rritja e çmimit të karburanteve si fermerët, transporti, dhe së fundmi edhe peshkatarët”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja vuri në dukje se të gjitha këto politika të ndërmarra bënë që Shqipëria të kishte inflacionin më të ulët ndër vendet e rajonit por dhe më gjerë.
“Sot vendet e rajonit kanë inflacionin në nivel dyshifror, ndërsa Shqipëria në muajin korrik e kishte inflacionin 7.5 %. Kjo erdhi si rrjedhojë e politikave që bënë të mos ketë një kosto të shtuar të prodhimit shqiptar”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja, më tej shtoi se të gjitha këto masa të marra, në kohën e duhur, bënë që Shqipëria të ketë një perfomancë të mirë ekonomike.
“Kemi pasur rritje të qarkullimit, rritje të bizneseve aktive, rritje eksportesh dhe importesh dhe rritje të vendeve të punës. Të gjitha këto efekte të politikave të duhura që kanë nxitur konsumin dhe ndikuan pozitivisht në aktivitetin ekonomik të vendit”, tha Ibrahimaj.
Ministrja, duke vënë theksin në faktin se efektet e luftës po vijojnë të japin ndikimin negativ, qoftë në çmimet e konsumit, qoftë të karburanteve apo energjisë, qeveria ndërmori një vendim për të pasur mbështetje afatmesme të qëndrueshme.
“Do të vijojmë subvencionin e energjisë elektrike, do të indeksojmë pagat dhe pensionet, ashtu si dhe transfertat për grupet vulnerabël. Nga muaji shtator do të indeksohen 6 % të gjitha kategoritë e pensioneve, që duke shtuar dhe indeksimin në mars, shkon në total në 9.5 %. Janë 764 mijë përfitues në të gjithë vendin. Si kosto në buxhet llogaritet 2 miliardë lekë për këtë vit dhe vitin që vjen do të jetë 8.4 miliardë lekë. Kemi vendosur rritjen e pagave në sektorin publik me 7 %. Do të rrisim pagën minimale me 7 %, duke e çuar rritjen në krahasim me vitin e kaluar prej 3500 lekë. Shtuam masën e subvencionit për naftën pa taksa duke e çuar në 34 mijë numrin e përfituesve nga 19 mijë që ishte. Do të dyfishojmë masën e ndihmës ekonomike për personat mbi 65 vjeç”, tha Ibrahimaj.
Fraksion.com