AktualitetPolitikëTë fundit

Çuçi prezanton Rrumbullakun: Policia ka nevojë për frymë të re

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua ceremonia e marrjes së detyrës nga drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor, Muhamet Rrumbullaku.

Ceremonia u hap me himnin e flamurit Kombëtar, ku më pas ministri i Brendshëm Bledi Çuçi mbajti një fjalim.

Në fjalën e tij, Çuçi tha se nuk kishte personazh më të mirë për ta çuar përpara detyrën e kreut të Policisë, ndërsa e këshilloi Rrumbullakun për peshën e madhe që ka flamuri i Shqipërisë.

Në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjin për Policinë e Shtetit me propozim të ministrit, Këshilli i ministrave vendosi që Muhamet Rrumbullaku të emërohet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe i jepet grada Drejtues Madhor.

“Sot bëjmë prezantimin e drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtori i ri vjen në një moment shumë të rëndësishëm të reformimit të Policisë së Shtetit. Një proces transformimi që ka marrë kohën e vet dhe ashtu si në çdo proces transformimi të një organizate kaq të madhe siç është Policia e Shtetit, edhe ky proces ka pasur oshilacionet e veta. Jam i bindur se nuk kishte personazh më të mirë për ta çuar këtë proces përpara se zoti Rrumbullaku. Veç kritereve ligjore që i plotëson për të qenë drejtues dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në gjykimin tim por dhe të gjithë njerëzve që jam konsultuar është nga të paktët punonjës të policisë që ka krijuar një figurë me integritet të lartë moral dhe profesional. Dhe është nga të pakët që ka qenë në pjesën e mirë më të madhe në profesione me përgjegjësi dhe e ka pasur të qëndrueshme. Unë mendoj se më shumë se kurrë një personazh i tillë i duhet Policisë së Shtetit si Rrumbullaku. Kam një mesazh për Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ju zoti Rrumbullaku, ju sot do të merrni në dorëzim flamurin e organizatës. Ne respektojmë shumë flamuj të vendeve të tjera, por flamuri i vetëm të cilit i përulemi të gjithë dhe për të cilin kanë dhënë jetën shumë shqiptarë të mirë, edhe përfaqësues të policisë dhe çdo shqiptar i mirë është gati ta japë jetën, është flamuri me dy krerë. Mos e harroni në asnjë ditë të punës suaj dhe jam i bindur që ju do ta realizoni me nder dhe sukses këtë rrugëtim tuaj në një pozicion kaq të rëndësishëm të Policisë së Shtetit”, u shpreh Çuçi.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku u betua sot gjatë ceremonisë për marrjen e detyrës.

“Në këtë çast solemn, në respekt të brezave, në shenjë nderimi, të rënëve në krye të detyrës, të vendosur për të zbatuar ligjin, betohem për të mbajtur me nder Flamurin e Policisë së Shtetit”, u shpreh Rrumbullaku.

Rrumbullaku tha se “Policia e re ka nevojë për një frymë të re, që e sjell gjenerata e re e Policisë së Shtetit. Policia mbart kapacitete njerëzore dhe intelektuale, mjafton që këta të ruhen e të promovohen në bazë të merïtokracisë. Çdo punonjës duhet të jetë komod, për këtë kemi për të zhbërë çdo pabarazi. Menaxhimi i burimeve njerëzore do të jetë kryefjala, në zbatim të ligjit. Nuk ka vend për persona pa integritet. Personeli do të edukohet në mënyrë të vazhdueshme.

“Reformë e fortë ligjore, funksionale e strukturore në të gjithë nivelin e organizimit të Policisë. Rialokim i burimeve potenciale njerëzore, tendencave drejt kriminaliteti, riorganizime për të rritur evidencën investigative dhe për të goditur kriminalitetin. Analizë e mos arritjes së detyrës, abuzimin me detyrën, rivlerësim i kontributit dhe aftësive profesionale, ngritjen e strukturave të posaçme për krimin kibernetik. Lufta e krimit ekonomik dhe pastrimit të parave do të zërë një rëndësi të veçantë. Riorganizimi dhe rritja e kapaciteteve të kontrollit në komunitetet ndaj rrethanave të dukshme. Rritja e prezencës pa uniformë në komunitet, për evidentim dhe kontroll. Përdorimi i teknologjisë jo vetëm për monitorimin e zonave urbane por edhe jo urbane. Analizë e thelluar në të gjitha nivelet e organizatës”, tha Rrumbullaku.

 

Fraksion.com