Xhelal Mziu, kapet keq me Pjerin Ndreun: Mos bëj si papagalli shoku polic, s’merr vesh nga shifrat je dru!
Në mbledhjen e sotme në Komisionin për Reformën Territoriale, në debat është përfshirë edhe Xhelal Mziu.
Drejtuar kreut të Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, Mziu i tha të mos marrë rolin e policit.
“Asnjë prej jush nuk foli për kompetencë dhe ekonominë, Nuk shkon e zgërdhimja. Mos kalo në rolin e policit ordiner tani. Mos më bo mu si papagalli. Rri aty te kanalet, se nuk i kupto shumë gjërat ta. O shoku Pjerin…shoku polic, ku merr vesh nga shifrat t’i, je dru fare nga kjo pjesë. Reforma territoriale e 2015 nxori në pah edhe probleme. A nuk do ishte normale që një bashki të kishte kompetencën e arsimit parauniversitar? Nuk e di kush është qëndrimi juaj. A nuk do të ishte normale, që shërbimi parësor të jetë kompetencë e bashkisë, apo edhe qarkullimin rrugor sidomos brenda qytetit”, tha ai.
Debati ishte si fillim midis bashkëkryetares, Dhurata Çupi dhe kreut të Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu, në dëgjesën e Komisionit për Reformën Territoriale, me kryetarët e bashkive.
Debati nisi për numrin e punonjësve, për të cilën Çupi tha se janë 788, ndërsa kjo u kundërshtua nga Ndreu.
Pjesë nga debati:
Çupi: Kam kërkuar informacion për numrin e punonjësve të bashkive, s’mund të më thuash ti mua nuk kupton.
Çupi: Dy ndarje pra po të citoj dhe unë
Ndreu: Ndarja është gabim. O zonjë të lutem, Çdo bashki ka edhe funksione të tjera… Të dyja bashkë bëjnë aq, të ndara nuk bëjnë aq.
Çupi: Nuk të lejoj të më thuash s’e kupton
Ndreu: Po ta them prapë, nuk e kupton.
Denaj: Shifra do të vijë sërish me email dhe e diskutojmë.
Fraksion.com