Shkoi për të diskutuar borxhin, por e mbytën me litar. Si e vranë babë e bir, biznesmenin shqiptar të ndërtimit në Rodos, ja çfarë filmuan kamerat
Prej 8 ditësh biznesmeni shqiptar i sektorit të ndërtimit, Xhani Topalli, rezultonte i zhdukur në ishullin e Rodosit në Greqi, me familjen që kishte bërë apel për gjetjen e tij pas dyshimeve se mund të ishte eliminuar.
Mëngjesin e sotëm, mediat greke njoftuan se 46-vjeçari ishte gjetur i vdekur dhe përgjegjësinë për vrasjen e tij e ka marrë një hotelier 53-vjeçar me banim në Kalithea.
Topalli, baba i tre fëmijëve të mitur, ka pasur një takim të dielën e datës 28.08.2022 në mbrëmje, për t’i dhënë atë që i takon sipas marrëveshjes që kishin bërë, por 53-vjeçari siç ka rrëfyer edhe vetë e ka vrarë!!
Trupi i pajetë i biznesmenit shqiptar është gjetur në një rrugë të shkretë mes Psinthos dhe Afantos, ndërsa dosja do t’i kalojë Prokurorisë Publike për procedim të mëtejshëm.
“Dimokratiki.gr” raporton se vdekja është shkaktuar nga mbytja me litar, ndërsa për bashkëpunim është arrestuar edhe djali i autorit pasi dyshohet se e ka ndihmuar të atin në transferimin e trupit të 46-vjeçarit, në vendin ku u gjet.
Njoftimi i policisë greke:
“Vrasja e një të huaji 46-vjeçar, i cili ishte shpallur i zhdukur, është hetuar nga efektivët e Policisë Rodos dhe janë identifikuar autorët. Konkretisht, bëhet fjalë për dy shtetas të moshës 20 dhe 53 vjeç, ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë për vrasje me dashje në bashkëpunim.
Në veçanti, lidhur me historikun e rastit, mbrëmjen e datës 30 gusht 2022, në Departamentin e Policisë Archangelos u denoncua zhdukja e një të huaji 46 vjeç që në mbrëmjen e 28 gushtit 2022. Gjatë hetimeve më 31 gusht 2022, automjeti i tij u gjet i zhdukur në një zonë rurale. Më pas, në kuadër të mbledhjes – shfrytëzimit të plotë të provave dhe të dhënave paraprake, u konstatua përfshirja e dy shtetasve, të cilët në orët e para të mëngjesit të sotëm janë sjellë në Drejtorinë e Sigurisë Rodos dhe duke u këqyrur gjatë hetimeve paraprake kanë përshkruar me detaje aktin e tyre, duke treguar vendin e vrasjes, si dhe vendin ku e kishin fshehur trupin e 46-vjeçarit.
Më në detaje, mbrëmjen e 28 gushtit 2022, 46-vjeçari ka shkuar në një takim me autorët, të cilët për shkak të mosmarrëveshjeve financiare mes tyre janë grindur dhe e kanë plagosur për vdekje. Më pas, për të mbuluar aktin e tyre, mjetin e 46-vjeçarit e kanë zhvendosur në një zonë rurale dhe trupin e tij në një vend të dytë ku e kanë fshehur rastësisht”.
Ndërkohë në pamjet e kamerave të sigurisë, Topalli shihet pranë një kioske në orën 22:28 të së dielës duke blerë cigare dhe duke folur intensivisht në celular me një të panjohur.
Por, policia ka pasur dyshime për autorët e ngjarjes edhe prej deklaratës së dhënë nga një ushtarak, i cili ka parë makinën e viktimës me të dhe dy persona të tjerë në të në vendin e ngjarjes ku është gjetur e braktisur në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, 29 gusht 2022.
Fraksion.com