AktualitetBota+Të fundit

Kush është Liz Truss, kryeministrja e re e Britanisë

Si fëmijë, Liz Truss ka marshuar në demonstrata kundër atëbotë kryeministres konservatore, Margaret Thatcher.

Në moshë të rritur, e ka admiruar atë grua – lideren e parë britanike – dhe tani vetë Truss do të udhëheqë Britaninë me synim të transformimit të Mbretërisë së Bashkuar.

Truss, e cila deri më tani ka mbajtur pozitën e ministres së Jashtme britanike, ka dalë fituese në garën për të zëvendësuar Boris Johnson-in në pozitën e udhëheqësit të Partisë Konservatore dhe kryeministrit të shtetit.

Partia ka thënë se Truss ka fituar rreth 57 për qind të votave të anëtarëve të saj, në krahasim me 43 për qind sa ka fituar ish-shefi i Thesarit, Rishi Sunak.

Truss, 47-vjeçare, do të bëhet kryeministrja e tretë grua e Britanisë, pas Thatcher-it, e cila ka udhëhequr në periudhën 1979-1990, dhe Theresa May-t, e cila ka mbajtur këtë pozitë nga viti 2016 deri më 2019.

Anëtarët e Partisë Konservatore kanë përkrahur Truss-in për shkak të zotimeve të saj për të ulur taksat dhe për të vazhduar mbështetjen e Britanisë për Ukrainën.

Disa shohin elemente të Zonjës së Hekurt – siç është njohur Thatcer – në vizionin e Truss-it për të ruajtur demokracinë në botë.

Për kritikët, Truss është një ideologe jofleksibile, politikat e djathta të së cilës nuk do t’i ndihmojnë Britanisë për të shmangur trazirat ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit dhe lufta e Rusisë në Ukrainë.

E lindur në Oksford më 1975, Mary Elizabeth Truss, është vajza e një profesori të matematikës dhe një infermiereje, e cila ka marrë pjesë në protestat kundër Thatcher-it sa ka qenë fëmijë.

Ajo kujton të ketë bërtitur në protesta: “Maggie, Maggie, Maggie — jashtë, jashtë, jashtë!

Në një fjalim të vitit 2018, ajo ka thënë se më vonë ka nisur të zhvillojë pikëpamjet e veta politike dhe është shprehur kundër “prindërve socialistë me pikëpamje të linjës së të majtëve”.

Familja e saj ka jetuar në Skoci, para se të zhvendosej në Angli, ku Truss ka qenë ndjekur mësimet në një shkollë publike, diçka që e dallon nga shumë kolegë të saj konservatorë që janë edukuar nëpër shkolla private.

Ajo më pas është pranuar në Universitetin e Oksforit, ku ka studiuar për filozofi, politikë dhe ekonomi – sektorë që studiojnë shumë studentë që synojnë të bëhen politikanë – dhe ka qenë presidente e një dege të Partisë Demokratike Liberale, që ka funksionuar brenda universitetit.

Pas Oksfordit, Truss i është bashkuar Partisë Konservatore –“edhe kur nuk ka qenë në modë”, ka thënë më vonë ajo.

Truss ka punuar si ekonomiste për kompaninë e energjisë, Shell dhe kompaninë për telekomunikime, Cable and Wireless.

Më 2009, Truss ka fituar ulëse në Parlament pas një përplasjeje – meqë disa konservatorë kanë qenë të zemëruar kur është bërë e ditur se ajo ka pasur një aferë me një deputet tjetër, kur të dy kanë qenë të martuar me persona tjerë.

Ajo i ka tejkaluar kritikat dhe martesa e saj ka mbijetuar.

Truss dhe burri i saj, Hugh O’Leary, kanë dy vajza adoleshente.

David Laws, ish-ministër i kabinetit qeveritar në Britani, që ka punuar me Trussin një dekadë më parë, e përshkruan atë si grua me energji dhe ambicie.

Truss e ka fituar punën e parë në kabinet qeveritar si ministre për Ushqim dhe Ambient më 2014.

Përgjatë asaj kohe, ajo ka bërë namin me një fjalim në të cilin ka thënë se është “turp” që Britania importon dy të tretat e djathit që konsumon.

Në referendumin e vitit 2016 rreth largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, Truss ka qenë në anën e atyre që kanë kundërshtuar largimin, ndonëse e ka thënë disa herë se është euroskeptike.

Ajo më pas ka qenë ministre e Drejtësisë, por më vonë i është dhënë pozitë më e vogël në Thesarin britanik në maj të vitit 2017.

Kur Theresa May është larguar nga pushteti, Truss ka mbështetur zërat që Boris Johnson ta zëvendësojë atë.

Pasi ka fituar, Johnson e ka bërë Trussin, ministre të Tregtisë.

Në shtator të vitit 2021, ajo është emëruar kryediplomate e Britanisë.

Për punën e saj ka mendime të përziera.

Shumë persona e lavdërojnë për qasjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe aftësisë për të siguruar lirimin e dy shtetasve britanikë të burgosur në Iran.

Mirëpo liderët e BE-së, dhe zyrtarët tjerë që kanë shpresuar se ajo do të ketë ton më të butë në marrëdhëniet e Britanisë me bllokun evropian, janë dëshpëruar.

Truss shpesh ka sugjeruar se krahasimet e shpeshta me Thatcher-in janë seksiste, mirëpo me raste edhe i ka inkurajuar ato.

Sa i përket pjesës tjetër të jetës së saj – jashtë politikës – miqtë thonë se ajo është një grua me humor të mirë dhe i shijon netët me karaoke, nën tingujt e yjeve si: Taylor Swift, Whitney Houston dhe Destiny’s Child.

Besnikëria e Trussit ndaj Johnsonit, i cili mbetet popullor mes shumë konservatorëve, besohet se i ka ndihmuar të fitojë.

Shumë besojnë se vendimi i Sunak-ut për t’u larguar nga kabineti qeveritar i Johnsonit në muajin korrik, ka ndikuar negativisht në garën e tij.

Ndonëse do të jetë në krye të Qeverisë, Truss nuk do të ketë shumë kohë për të bindur votuesit dhe ajo është në rrugën e duhur.

Zgjedhjet e ardhshme në Britani duhet të mbahen pas dy vjetësh.

E ardhmja sa vjen e bëhet më e vështirë, për shkak të rritjes së inflacionit, i cili prek drejtpërdrejt xhepin e britanikëve.

Fokusi i Truss-it, për të stimuluar rritje ekonomike përmes uljes së taksave, nuk pritet të ndikojë në lehtësim të madh në periudhë afatshkurtër.

 

Fraksion.com