AktualitetPolitikëTë fundit

Sesioni i ri i parlamentit, Presidenti thirrje për dialog politik

Në Shqipëri, sesioni i ri parlamentar është hapur me një mesazh të presidentit Bajram Begaj. Kreu i Shtetit, që në hyrje të letrës së tij, vuri në dukje vendimin për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian që sipas tij “domosdoshmërisht imponon për të gjithë ne, reflektim dhe më shumë përgjegjshmëri, seriozitet dhe më shumë përkushtim”.

Ashtu si dhe në fjalën e tij në momentin e zgjedhjes së president, sërish zoti Begaj vuri theksin të nevoja e bashkëpunimit mes forcave politike. “Dialogu politik, gjithëpërfshirja dhe konsensusi duhet të jenë lajtmotivi i punës parlamentare, sepse vendi nuk mund të paguajë koston e mungesës së tyre”, shprehet presidenti.

Kreu i shtetit u ndal më pas te korrupsioni që “frenon zhvillimin ekonomik dhe vret shpresën për një të ardhme më të mirë. Modeli i zyrtarit duhet të jetë ai i llogaridhënies, i respektimit të ndarjes së pushteteve, i respektimit të ligjit dhe përmbushjes së përgjegjësisë publike”. Dhe për ta luftuar këtë fenomen ai nënvizon se “kemi detyrimin të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi, punën dhe rolin e çdo aktori institucional në ushtrimin e detyrave të tyre në luftën kundër korrupsionit për forcimin e besimit qytetar tek institucionet e drejtësisë”.

Ndërsa vitin e ardhshëm në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhjet vendore të radhës, presidenti Begaj u shpreh se ato janë dhe “një mundësi e mirë për të dëshmuar pjekurinë dhe përgjegjshmërinë politike, seriozitetin dhe përkushtimin e të gjithë aktorëve politikë për të realizuar zgjedhje sipas standarteve europiane edhe në Shqipëri”, duke nxitur përmbylljen e reformës zgjedhore e cila “kërkon bashkëpunim, transparencë, gjithëpërfshirje, seriozitet dhe përputhshmëri të plotë me parimet e sugjeruara nga Komisioni i Venecias si dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”.

Në fund të mesazhit të tij, duke folur për zhvillimet globale, kërcënimet në rritje nga faktorë të ndryshëm, krizën ekonomike dhe pasigurinë ushimore dhe energjitike, ai u kërkoi deputetëve dhe parlamentit “të jetë modeli i sjelljes dhe veprimit si patriotë, ku interesat e grupit apo të partisë, nuk mund të qëndrojnë më lart se interesat e popullit dhe ato kombëtare”.

Në qendër të vëmendjes së këtij fillim sesioni, duket se do të jetë çështja e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, e rikthyer në skenë në fund të muajit korrik pas një letre që Autoriteti i Dosjeve i dërgoi parlamentit, e sipas së cilës, ish presidenti Ilir Meta rezultonte në dokumentat e hartuar nga strukturat e ish Sigurimit.

Shumica, iu përgjigj këtë herë me urgjencë, kërkesës së përsëritur në vite nga Autoriteti i Dosjeve për dy ndërhyrje ligjore. E para që heq pengesën, për të riverifikuar perosnat që janë pajisur me herët me çertifikatë pastërtie nga dy komisionet e ngritura në gjysmën e dytë të viteve ’90, dhe e dyta që përcakton detyrimin e partive dhe kandidatëve të tyre në zgjedhje, që t’i nënshtrohen verifikimit të së kaluarës së tyre në lidhje me strukturat e ish Sigurimit.

Gjatë seancës parlamentare, kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, kërkoi mbështetjen e opozitës për këto dy nisma, por dhe ndaj propozimit tjetër që ata pritet të paraqesin, e që ka të bëjë me një ndërhyrje në të ashtuquajturin ligj të dekriminalizimit, i cili e zgjeron rrezen e ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike të bashkëpunëtorëve të ish Sigurimit të Shtetit, për të paktën 9 kategori funksionarësh, nga maja e piramidës shtetërore deri në nivelet e ulta.

Opozita nga ana e saj, ka paraqitur gjithashtu disa nisma të tjera për të njejtën çështje, mes të tjerash dhe për deklasifikimin e plotë të dosjeve t ëish Sigurimit të Shtetit, apo dekomunistizimin ndërsa ka paralajmëruar dhe propozimin e një projektligjit për lustracionin.

“Ne i mirëpresim të tre propozimet e ardhura nga opozita por shpresojmë që opozita të ketë pjekurinë e duhur politike për të pranuar që të negociojë për to, dhe besoj se hapësira e mundësia e gjetjes së konsensusit është. Në mënyrë që edhe disa projektligje të tjera që ne do të sjellim në këtë paket, të marrin mbështetjen tuaj. Unë mendoj që është në nderin e asaj se çfarë përfaqëson PD që të na mbështesë, sigurisht që edhe në mbështesim projektligjet që kanë ardhur nga ju në frymën e bashkëpunimit për të gjetur variante finale që të kenë mbështetje”, deklaroi në seancë zoti Balla. Ndërsa më herët gjatë ditës, duke i konsideruar propozimet e tyre si ndër prioritetet e punës parlamentare të grupit të Partisë Demokratike, kreu i saj Enkelejd Alibeaj, përsëriti disa herë, se nismat ligjore nuk mund të përdoren për hakmarrje politike, duke ju referuar në këtë mënyrë propozimeve socialiste që në thelb duke se synojnë më së shumti, të godasin ish presidentin Meta. “Nëse ka një shërbim të keq që mund t’i bësh dekomunistizimit, është t’a përdorësh për luftë të vogël politike, për hakmarrje”, deklaroi zoti Alibeaj.

 

Fraksion.com