Alibeaj: Prioritetet e PD-së, Reforma Territoriale dhe dekomunistizimi
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka prezantuar sot në mbledhjen e grupit parlamentar në kryesinë e Kuvendit prioritetet e PD për sesionin e ri parlamentar.
Ai tha se prioritetet do të jenë të ndara në tre shtylla, përfshirë këtu reformën legjislative, mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe kontrollin parlamentar.
Për sa i përket Reformës Zgjedhore dhe Reformës Administrativo-Territoriale, Alibeaj tha se “për disa muaj Shqipëria do jetë përpara një tjetër përballjeje elektorale, në zgjedhjet vendore të 2023, që e bëjnë prioritet mbi prioritetet përmbylljen sa më parë të dy reformave tashmë të propozuara nga grupi parlamentar i PD, Reformën Zgjedhore dhe Reformën Administrativo-Territoriale”.
“Të dyja këto reforma janë thelbësore për mbrojtjen e interesit të qytetarëve. Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, dhe një ndarje administrative që i përputhet nevojës për shërbime ndaj qytetarëve, janë parakushte që pushteti i ri lokal të jetë produkt i vullnetit të qytetarëve dhe në 4 vitet e ardhshme ti përgjigjet vetëm interesit të qytetarëve. Edhe pse Reforma Zgjedhore dhe Reforma Administrativo-Territoriale janë prioritete të mbartura nga sesioni i shkuar parlamentar, ato do të vijojnë të mbeten prioritet absolut i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Të dy grupet e punës që janë ngritur brenda grupit parlamentar për këto dy reforma, do të konkludojnë brenda muajit Shtator me propozime konkrete, për të hapur më pas diskutimin publik dhe politik lidhur me to”, u shpreh Alibeaj.
Vëmëndje, grupi parlamentar i PD-së i ka kushtuar Reformës së Dekomunistizimit të shoqërisë.
“Në periudhen 1945 – 1990, Shqipëria vuajti regjimin më të egër diktatorial komunist. Gjatë këtyre viteve, 26.768 burra dhe 7.367 gra ishin të burgosur politikë, ndërsa 5.577 burra dhe 450 gra u dënuan me vdekje dhe u vranë. Nga viti 1946 deri në 1990 u ndërtuan rreth 110 kampe të punës së detyruar, ku mijëra qytetarë shqiptarë u trajtuan si skllevër, duke përjetur terrorin e regjimit diktatorial. Një popull që harron historinë e tij, është i dënuar ta përsërisë atë. Prandaj ndarja me të kaluaren jo të largët të vendit të tyre, është borxh dhe nderim për kujtimin e atyre qindra mijera qytetareve që kaluan fëmijërinë, rininë apo gjithë jetën e tyre në internim, që u burgosën dhe vranë, që u presekutuan dhe vuajtën, thjesht sepse ata vetë apo prindërit e tyre mendonin dhe besonin ndryshe nga regjimi komunist. Ende sot pas 3 dekadave, ndoshta edhe për neglizhencë të Partisë Demokratike, kemi dështuar të gjithë si shoqëri që të ndërmarrim hapa seriozë dhe të rëndësishëm për tu përballur me të shkuarën komuniste dhe për ti dhënë fund një diskutimi 32 vjecar, për të cilin kujtohemi sa herë interesi i ngushtë partiak e kërkon. Për këtë qëllim, katër iniciativat ligjore të Grupit Parlamentar të PD, si (1) hapja e plotë e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit; (2) ndalimi i simboleve të komunizimit; (3) lustracioni i plotë i jetës politike dhe publike; si dhe (4) krijimi i muzeve të kujtesës kolektive, janë nisma që do të jenë prioritet i yni”, tha Alibeaj.
Po ashtu, prioritet tjetër i grupit parlamentar të PD-së është lufta ndaj korrupsionit.
“Rreziku permanent në 32 vite poskomunizëm në Shqipëri është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Është korrupsioni që ka bllokuar zhvillimin ekonomik të vendit. Është korrupsioni dhe krimi i organizuar që ka bllokuar integrimin europian të Shqipërisë. Është korrupsioni dhe krimi i organizuar që rrezikon sigurinë kombëtare të vendit. Është korrupsioni dhe krimi i organizuar që mban ende në këmbë sistemin e kalbur të tranzicionit shqiptar. Prej kohësh raportet ndërkombëtare flasin në një zë se vendi jonë është më i korruptuari në Rajon dhe Europë dhe reklama e vetme për Shqipërinë mbetet fuqizimi i krimit të organizuar. 1 vit më parë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një paketë të plotë për kontrollin e pastërtisë së figurës dhe integritetit të zyrtarëve të lart. Duke përfituar edhe nga coroditja e opozitës, Edi Rama e ka mbyllur atë në syrtar, duke mos lejuar avancimin e kësaj reforme të shumëpritur nga qytetarët.Etja për pushtet e pasuri e 250 shqiptarëve, që përbëjnë edhe rrethin e zyrtarëve të lart të shtetit, nuk mund të mbajë peng të ardhmen e 3 milion shqiptarëve të tjerë. Interesi dhe rehatija e 250 shqiptarëve, nuk mund të lë pa shprese e besim 3 milion shqiptarë të tjerë. Korrupsioni nuk është retorikë boshe e politikës që e sjell në vëmeëndje të publikut sa herë lufta politike e ditës ia kërkon. Korrupsioni nënkupton pasurim të paligjshëm të 250 zyrtarëve të lart, korrupsioni përkthehet në jetë luksi të 250 zyrtarëve të lart, korrupsioni shfaqet në pasuritë e pajustifikuara dhe të fshehura të 250 zyrtarëve të lart, korrupsioni vërehet tek lidhjet e politikës me krimin e organizuar. Për pasojë luftohet, jo përmes retorikës boshe dhe sulmit ndaj institucioneve të drejtësisë, por duke i ngarkuar me ligj organet e drejtësisë, duke i vënë në dispozicion mekanizimin e duhur ligjor, që ti japin fund etjes për pushtet dhe pasurim të paligjshëm të 250 zyrtarëve të lart. Shqipëria ka nevojë emergjentë për drejtësi, shqiptarët janë të etur për llogaridhënie. Pandëshkueshmëria, paprekshmëria e qeveritarëve, zyrtarëve të lart, bizneseve pranë tyre dhe krimit të organizuar janë arsyeja e vetme pse shqiptarët sot kanë humbur shpresën dhe besimin. Tanimë është koha që SPAK të veprojë dhe të mos ketë më asnjë alibi. Ne do të mbështesim cdo propozim që e forcon SPAK, që con përpara zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe shmang kapjen politike të drejtësisë”, tha ai.
Në vëmendjen e grupit Parlamentar të PD-së është dhe mbrojtja e interesit qytetar.
“Përvec Reformave legjislative, të cilat shërbejnë për të ndërtuar një Shqipëri të së ardhmes, në fokus të Grupit Parlamentare të Partisë Demokratike, ka qene dhe do të mbeten edhe nevojat emergjente të qytetarëve shqiptarë. Aktualisht 3 janë cështjet prioritare në këtë drejtim: Paketa Ekonomike + Energjitike. Kriza ekonomike ka prekur Shqipërinë dhe cdo ditë po thellon varfërinë në familjet shqiptare. Biznesi është në vështirësi dhe pa asnjë mbështetje. Nga ana tjetër, kriza energjitike është tashmë në vend, por qeveria po merret me propagandë dhe si gjithmonë zgjidhjen e shikon jo tek ndihma ndaj biznesit dhe familjeve shqiptare, por tek shtimi i barrës, rritja e cmimeve për to.Hartimi i një pakete ekonomike dhe energjitike që i vjen në ndihmë qytetarëve shqiptar është prioritet i Grupit tonë Parlamentar. Shembujt në Rajon, duke përfshirë edhe Kosovën, janë domethënës për të bërë dallimin mes një qeverie që punon për qytetarët dhe një qeverie që punon për veten e saj dhe një grusht njerëzish. Gjatë javës dhe pas përmbylljes së konsultimeve në Grupin Parlamentar, ne do të dalim me propozime konkrete për të përballuar krizën që ka muaj që ka filluar dhe që vetëm pritet të rëndohet nëse nuk merren masat e duhura në kohën e duhur. Jemi të vonuar në këtë drejtim dhe shqiptarët nuk përballojnë dot neglizhencën e qeverisë ndaj shqetësimeve të tyre.Shqipëria mbetet në krye të listës së vendeve me cmimin më të lartë të hidrokarbureve. Kjo jo vetëm për shkak të nivelit të lartë të taksave, mungesës së reagimit nga Qeveria, por edhe për faktin se Shqipëria është nga të vetmet vende ku cmimi i naftës, benzinës apo gazit, paracaktohet nga Klubi i Oligarkëve, që qeveria e ka emërtuar si Bordin e kontrollit të cmimeve. Gjatë gjithë këtyre muajve, Klubi i Oligarkëve jo vetëm nuk ka mbajtur nën kontroll cmimet e naftës, benzinës apo gazit, por ka shërbyer si një mekanizëm korruptiv për të deformuar tregun në dëm të interesit të qytetarëve. Për këtë arsye, dua të informoj opinionin publik se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka përgatitur dhe ditën e nesërme do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për shfuqizimin si antikushtetues të dy ligjeve mbi bazën e të cilave funksionon Bordi i paracaktimit të cmimit të naftës, benzinës dhe gazit”, tha ai.
Gjithashtu, Alibeaj, theksoi se një ndër prioritetet e rëndësishme janë interesat kombëtare.
“Procesi integrimit ka kaluar në një tjetër fazë dhe do të duhet një kontroll më serioz dhe i saktë nga ana e Kuvendit. Ndaj do të ngremë një grup pune dhe propozime konkrete nga ekspertët për të ecur me ritmet e duhura në procesin e integrimit europian. Integrimi europian është prioritet kombëtar, dhe për të cilin duhet të punojmë cdo ditë, për ta cuar përpara dhe për të qenë sa më parë pjesë e familjes europiane.Njëkohësisht do të angazhohemi në ndihmën për Kosovën dhe futjen e saj në institucionet ndërkombëtare, si dhe stabilitetin në Rajon, një proces që duhet të koordinohet jo vetëm në mënyrë bipartiake, gjithëpërfshirëse, por vecanërisht në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Republikës së Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.Ruajtja dhe forcimi i partneritetit strategjik me SHBA, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe, për Grupin Parlamentar të PD është prioritet në mbrojtje të interesit tonë kombëtar. Vendosja në një kurs përplasje të Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar me SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe, nuk do të ishte vetëm devijim nga misioni properëndimor i Partisë Demokratike që nga krijimi, por edhe një rrugë e sigurt për të cimentuar regjimin antidemokratik dhe antiperëndimor të Edi Ramës”, tha ai.
Fraksion.com