AktualitetBota+Të fundit

Një ekspert i jashtëm shqyrton të dhënat e marra gjatë kontrollit të 8 gushtit

Në një fitore ligjore për ish-Presidentin Donald Trump, një gjykatëse federale pranoi të hënën kërkesën e tij që një ekspert i pavarur ligjor të shqyrtojë dokumentet e sekuestruara nga FBI-ja nga shtëpia e tij në Florida, si edhe ndaloi përkohësisht përdorimin nga Departamenti i Drejtësisë të të dhënave për qëllime hetimi.

Vendimi i gjykatëses Aileen Cannon autorizon një ekspert të jashtëm për të shqyrtuar të dhënat e marra gjatë kontrollit të 8 gushtit dhe për të përjashtuar nga hetimi çdo dokument që mund të mbrohet nga privilegji avokat-klient ose privilegji ekzekutiv. Disa nga ato dokumenta ka mundësi që t’i kthehen ish-presidentit Trumpi, por gjykatësja e shtyu vendimin për një gjë të tillë.

Gjykatësja e dha urdhrin pavarësisht kundërshtimeve të forta të Departamentit të Drejtësisë, i cili tha se një ekspert i jashtëm ligjor nuk ishte i nevojshëm dhe një nga arsyet ishte se zyrtarët e kishin përfunduar tashmë shqyrtimin dokumenteve që mund të mbroheshin nga marrëdhënia avokat-klient ose privilegji ekzekutiv.

Emërimi i një eksperti ka gjasa ta ngadalësojë ritmin e hetimit të Departamentit të Drejtësisë për praninë e informacioneve tepër sekret në Mar-a-Lago, veçanërisht duke pasur parasysh udhëzimin e gjyqtares që Departamenti i Drejtësisë nuk mund të përdorë për momentin asnjë nga materialet e sekuestruara si pjesë e hetimit të tij për mbajtjen e sekreteve qeveritare në rezidencën e Floridës.

“Gjykata konstaton se këto rrethana të pashembullta kërkojnë një pauzë të shkurtër për të lejuar rishikimin e paanshëm nga palë të treta, për të siguruar një proces të drejtë, me masa të pështatshme”, shprehet gjykatësja Cannon, e cila është emëruar nga ish-presidenti, në urdhrin e saj prej 24 faqesh.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse vendimi do të ketë një efekt të konsiderueshëm afatgjatë tek hetimi apo përfundimet e tij.

Një vlerësim i veçantë nga komuniteti i zbulimit amerikane për rrezikun e paraqitur nga keqpërdorimi i mundshëm të dhënave të klasifikuara do të vazhdojë me urdhër të gjyqtares.

Departamenti i Drejtësisë nuk ka komentuar ende dhe një avokat i zotit Trump, nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Avokatët e zotit Trump kishin argumentuar se ishte i nevojshëm emërimi i një eksperti të posaçëm ligjor, për të garantuar një analizë të pavarur të të dhënave të marra gjatë kontrollit dhe në mënyrë që informacione ose dokumenta personale të mund të shqyrtoheshin dhe t’i ktheheshin zotit Trump.

Në këtë rast, të dhënat e sekuestruara “përfshijnë dokumente mjekësore, korrespondencë në lidhje me taksat dhe informacione financiare”, sipas urdhrit të gjyqtares.

Gjyqtarja tha se ishte shumë herët për të ditur nëse ndonjë nga dokumentat apo objektet do t’i kthehet zotit Trump, por “për momentin, rrethanat që lidhen me sekuestrimin në këtë rast dhe nevoja për masa mbrojtëse procedurale të përshtatshme janë mjaft bindëse.”

Departamenti i Drejtësisë kishte argumentuar kundër emërimit, duke thënë se ishte i panevojshëm sepse kishte shqyrtuar tashmë dokumente që mund të ishin të mbrojtura nga privilegji dhe kishte identifikuar një numër të kufizuar materialesh që mund të mbuloheshin nga privilegji avokat-klient.

“Mendoj se pengesa kryesore, është se dokumentet me privilegj ekzekutiv janë përfshirë” në vendimin e gjyqtares, tha Richard Serafini, një ish-prokuror i Departamentit të Drejtësisë dhe avokat në Florida. Ai tha se priste që departamenti ta apelonte urdhrin.

Departamenti i Drejtësisë kishte argumentuar gjithashtu se zoti Trump nuk kishte të drejtë ligjore të pretendonte privilegj ekzekutiv për asnjë prej të dhënave presidenciale që ishin marrë pasi ai nuk është më president dhe për rrjedhojë dokumentet nuk i përkasin atij. Po ashtu Departamenti tha se objektet personale që u gjetën ishin përzierë me informacione të klasifikuara, duke u dhënë atyre vlerë të mundshme si prova.

Megjithëse Departamenti i Drejtësisë kishte argumentuar se zoti Trump, si ish-president, nuk kishte bazë ligjore për të pretenduar privilegjin ekzekutiv mbi dokumentet, gjyqtarja tha se ai kishte të drejtën ta ngrinte shqetësimin dhe lejoi që eksperti i posaçëm të kontrollonte për dokumenta që mund të mbulohen nga ai privilegj.

Gjykatësja Cannon, e cila u emërua nga zoti Trump në vitin 2020, kishte sinjalizuar me një urdhër të shkurtër muajin e kaluar se ajo ishte e prirur të emëronte një ekspert të posaçëm.

 

Fraksion.com