Rita Ora në Tiranë, bashkëbisedim me studentë të Liceut Artistik, zbulon se kur do ta publikojë albumin e saj
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora është në Tiranë! Të martën, në Javën e Kulturës Britanike, ajo do të performojë në sheshin “Skënderbej”, në një koncert falas për të gjithë qytetarët, por takimin e parë në Tiranë e ka rezervuar për studentët e Liceut Artistik.
I shoqëruar edhe nga nëna e saj, Vera Ora, dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, Rita Ora ndau me të rinjtë detaje për koncertin e madh të 6 Shtatorit, por ndërkaq u shpreh e surprizuar me ndryshimet që ka pësuar qyteti i Tiranës.
“Ky qytet është rritur shumë! Ju çuna dhe goca jeni me shumë fat për këtë kryebashkiak. Është shumë “cool” dhe i përditësuar me kulturën, rininë, vlerat. E shoh çdo vit rritjen e qytetin dhe jam e surprizuar”, tha Rita Ora.
Ajo ka treguar se të rinjtë duhet të tregohen të durueshëm për të arritur gjëra të mrekullueshme, ndonëse është e vështirë.
Mandej, ajo zhvilloi një bisedë, në formë pyetje-përgjigje, me të rinjtë e pranishëm në sallën e Liceut Artistik, me të cilët ndau eksperiencën e saj si këngëtare, se çfarë do të thotë të ndjekësh ëndrrën tënde dhe se sa punë e mund duhet për ta realizuar atë.
“Kur ju rriteni do të takoni njerëz që do t’ju frymëzojnë të bëni diçka, të tjerë do t’ju thonë se nuk do t’ia dilni dot dhe kjo mund t’ju bëjë të humbni besimin. Por, duhet të fokusoheni te vetja juaj dhe të mos i dëgjoni çfarë thonë të tjerët. Duhet t’i provoni atyre se janë ata që e kanë gabim. Kjo më ka bërë mua të eci përpara”, tha ajo.
Kurse Vera Ora tha se ngjarja e javës së kaluar ishte tepër e rëndë dhe apeloi për më shumë respekt për njëri-tjetrin si shoqëri. “Respektoni njëri-tjetrin; është shumë e rëndësishme ta dini vlerën tuaj. Meshkujt duhet të tregojnë më shumë respekt ndaj vajzave. Ndaj dua t’ju lë një mesazh: ‘Bisedojini me prindërit apo me njëri-tjetrin çdo problem që keni dhe kërkoni ndihmë nëse keni nevojë’”, tha ajo.
Përpara koncertit të mbrëmjes së 6 shtatorit, Rita Ora do të marrë pjesë në disa aktivitete me natyrë sociale.
Kujtojmë se Rita Ora do të bëjë një koncert falas më 6 shtator në Tiranë.
Fraksion.com