AktualitetPolitikëTë fundit

“Kërkon një ‘fitil’ të ri në Ballkan”; Rama ‘shigjeton’ Putinin: E keni parë sa shpesh e përmend Kosovën?

Në bashkëbisedim me të dërguarin e prestigjiozes Der Spigel, kryeministri Rama nuk e ka fshehur shqetësimin për rrezikun që i vjen paqes në Ballkan nga kërcënimi rus.

“Rusia do të ishte e kënaqur nëse diçka do të lëvizte në drejtim të konfliktit në Ballkan. A keni dëgjuar sa herë Putini përmend Kosovën në fjalimet e tij? “Përsërit vazhdimisht: “Kosovë, Kosovë, Kosovë”. Shefi i Kremlinit nxit “problemet më të dhimbshme nga të gjitha të pazgjidhurat” në Ballkan dhe bën gjithçka për të krijuar një fitil të ri”.

Është mirëkuptues për pozicionin e vështirë që ka Vuçiçi mes BE dhe Rusisë, për shkak të historisë dhe mbështetjes që po tregon kjo e fundit duke e furnizuar Beogradin me energji dhe gaz. Kjo dhe për faktit se opinioni publik serb ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri apo gjetkë në Ballkan, e mbështet me shumicë dërrmuese ndërhyrjen ruse në Ukrainë.

“80% e serbëve ortodoksë mendojnë pozitivisht se Putini thjesht po i tregon Perëndimit topat në Ukrainë… nëse mund ta themi kështu. Në Shqipëri, nga ana tjetër, miratimi për veprimet e Putinit ishte vetëm 0.7%.  Simpatitë për Moskën janë “të forta” në Serbi, madje “shumë të forta” në Republikën Srpska, ku jetojnë shumica e serbëve të Bosnje-Hercegovinës. Në Mal të Zi, nga ana tjetër, ka një përçarje të thellë mes popullatës malazeze dhe serbe: “Duhet të jemi të vetëdijshëm se ky ndikim mund të kthehet në diçka të tmerrshme”.

Por pavarësisht kësaj Rama mbetet i bindur se kërkohet bashkëpunim rajonal nëse duam të ruajmë paqen dhe të tejkalojmë plagët e historisë së luftërave. Gazeta e cilëson Vuçiçin si armikun më të dashur të Ramës, ndërsa vetë kryeministri meritën për afrimin e tij me presidentin serb dhe si rrjedhojë një klimë të re në Ballkanin Perëndimor ia njeh personalisht ish-kancelares Merkel.

“Për herë të parë në historinë e Ballkanit, politikanë të lartë u ulën së bashku në një tryezë një herë në vit, gjithmonë në qytete të ndryshme evropiane, në Londër, Paris, Trieste, Vjenë. Deri sa u largua nga politika, Merkel ishte personalisht çdo herë e pranishme. Kjo ka ndryshuar gjithçka. Në këto bisedime, gjashtë liderët e vendeve të Ballkanit ranë dakord të mos pajtohen. Por të gjithë kishin një vullnet të përbashkët: të përmbysnin fatin e historisë”.

Der Spigel e vlerëson kryeministrin shqiptar si politikanin që ka kapur botën e interesave të ndryshme dhe kultivon ato ndërkombëtare duke patur kontaktet, nga Riadi në Stamboll, Paris dhe Uashington.

 

Fraksion.com