Gonxhja: Godina e re e DPSHTRR-së, vepër arkitektonike
Pasi është bërë realitet transformimi i shumicës së objekteve të Shërbimeve të Transportit Rrugor anembanë vendit, tashmë do të investohet në DPSHTRR qendrore, aktualisht me kapacitet të reduktuar, të dëmtuar nga tërmetet e të klasifikuar për rindërtim nga Instituti i Ndërtimit.
Sipas kreut të DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja objekti i ri, që do të zëvendësojë godinën e vjetër, do të jetë një vepër arkitektonike gjurmëlënëse.
“E konceptuar me perspektivën e duhur për nevojat e një enti në rritje e për të përballuar funksione të shumta shërbimesh e detyra operacionale, objekti i ri, që do të zëvendësojë godinën e vjetër, do të jetë një vepër arkitektonike gjurmëlënëse, e një ndërtimi administrativ model që do t’i shtohet kryeqytetit falë një investimi bashkëkohor, me standarde Green e eficiencë energjetike, kulturë e rrezatim inovacioni teknologjik, me gjithëpërfshirje të publikut në hapësira edukative, me një konstruksion inovator për prestigj e siguri shërbimesh publike”, tha ai.
Sipas Gonxhes, “nëntori 2022 do jetë muaji i fundit i ‘jetës’ së selisë së vjetër të DPSHTRR, aty ku do të nisë nga puna kantieri i godinës së re multifunksionale të shërbimeve qendrore të Automotorizimit Shqiptar, miratuar nga KKT, sipas projektit të punuar nga studio që përfaqëson Stefano Boeri Architetti”.
Gonxhja tha se fondet 100% nga vetëfinancimi, falë mirëadministrimit në vitet 2019-2022.
“Investimi zhvillohet në një truall me sip. 1,850 m2, ku objekti do të ketë 5 kate mbi tokë e 2 nën tokë, me 39 vendparkime në garazh, me gjurmë të katit përdhe prej 647 m2, të katit të parë prej 885 m2, katet më lart me sip. 821 m2, në një total sip. ndërtimi prej 6,105 m2 nga të cilat 3,995 m2 mbi tokë, ku përfshihen edhe dy salla konferencash me kapacitete respektive 28 dhe 65 vende. Objekti do të ketë një organizim me një atrium të gjelbëruar e sistem ajrimi klimatik, panele fotovoltaike në tarracë për maksimizim eficience energjetike dhe përbërje ekologjike. Koeficienti i shfrytëzimit të truallit për ndërtim, 46.7%. Intensiteti i ndërtimit, 2.1. Lartësia maksimale e strukturës nga niveli i kuotës së sistemimit, 24.85m”, tha ai.
Fraksion.com