AktualitetBota+Të fundit

SHBA, kërcënoi të godasë me avion një dyqan, ndalohet piloti

Një aeroplan i vogël që fluturoi për disa orë mbi pjesën veriore të Misisipit shkaktoi panik në tokë të shtunën në mëngjes, ndërsa drejtuesi i tij kërcënoi se do të përplasej me një dyqan Walmart. Disa orë më vonë autoritetet njoftuan se avioni u ul pa probleme në tokë dhe se drejtuesi i tij është ndaluar. Ai përballet me akuza për vjedhje në përmasa të mëdha si dhe kërcënim terrorist.

Shefi i policisë së Tupelos John Quaka tha se gjithashtu se i dyshuari, Cory Wayne Patterson, nuk kishte patentë piloti, por kishte marrë disa mësime për të fluturuar dhe ishte një punonjës i aeroportit lokal të Tupelos.

Më herët në nje postim në Twitter Guvernatori i Misisipit Tate Reeves falënderoi agjencitë e zbatimit të ligjit që ndihmuan në uljen e avionit dhe zgjidhjen e situatës pa asnjë person të lënduar.

Administrata Federale e Aviacionit konfirmoi se avioni u ul në Ripley të Misisipit dhe se në bordin e tij ndodhej vetëm piloti. Ripley ndodhet rreth 72 kilometra në veriperëndim të Tupelos, po në Misisipi, qytet ku u pikas për herë të parë avioni.

Avioni fluturoi mbi Tupelo për rreth 4 orë, prej orës 5 të mëngjesit bëri të ditur Departamenti i Policisë së Tupelo. Autoritetet evakuuan Walmart-in dhe një dyqan aty pranë për shkak se piloti kërcënoi se do të përplasej me qëllim me dyqanin Walmart.

Më pas avioni u largua nga zona në drejtim të pjesës rurale në veri të Misisipit.

Autoritetet thanë se Cory Wayne Patterson e kishte vjedhur avionin e vogël, të llojit Beechcraft King Air C90A. Agjenci të shumta federale, mes tyre Departamenti i Sigurisë Kombëtare, po hetojnë për të zbardhur motivin e kësaj ngjarjeje.

Incidenti ndodhi ndërsa dhjetëra mijëra tifozë ishin nisur për në veri të Misisipit për të marrë pjesë në ndeshjet e futbollit të së shtunës në Universitetin e Misisipit në qytetin e Oksfordit dhe në Universitetin Shtetëror të Misisipit në Starkville. Tupelo shtrihet mes këtyre dy qyteteve./voa

 

Fraksion.com