Rrahën infermierët; Sherri në spital për temperaturën e fëmijës, prindërit nuk mbajnë dot nervat
Kanë përfunduar të pandehur në gjykatë për akuzën e goditjes për shkak të detyrës të afërmit e një fëmije, të cilët rrahën infermieret e spitalit pediatrik pasi temperatura e fëmijës nuk po zbriste.
Hetimi i prokurores Marjeta Zaimi i referohet denoncimit dhe raportit të ekzaminimit të dëmtimeve të infermiereve Silvan Roshi dhe Violeta Merdani , por edhe pretendimit të të akuzuarve që këmbëngulin se ata ishin të shqetësuar dhe se infermierët i kishin ofenduar. Prokuroria thotë se e mitura ishte e shtruar në spitalin pediatrik dhe halla e saj tanimë nën akuzë, kërkoi ndihmë pas temperaturës që shfaqi fëmija.
30 minuta më vonë, në pavion ka mbërritur edhe i ati i pacientes që ndonëse pretendonte se fëmija kishte temperaturë, infermieret kanë këmbëngulur se gjendja ishte e normalizuar. Në debat e sipër, prokuroria i thotë gjykatës se infermierët u qëlluan për shkak të detyrës në fillim nga babai që nuk e ka ruajtur dot qetësinë e më pas në konflikt ka hyrë edhe halla.
Pasi i kanë goditur me shuplaka dhe grushte, të dy të afërmit janë larguar nga spitali, e megjithatë policia i ka identifikuar nga shkresat e qendrës spitalore.
Fraksion.com