Ministria e Brendshme: IKMT ka rifilluar operacionin “Bregdeti ynë” të ndërprerë gjatë sezonit veror
Ministria e Brendshme, njofton se, sot strukturat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë rifilluar operacionin “Bregdeti Ynë”, i cili është ndërprerë gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, për të rinisur në shtator.
Në njoftimin për mediet, ministria sqaron se “ky operacion ka synuar rivendosjen e ligjshmërisë në bregdet dhe deri tani ka prishur 434 objekte të paligjshme në vijën bregdetare”.
Ministria e Brendshme shton se, “ndërhyrja e sotme për rikthimin e rreth 4 mijë metrave katrorë rërë e det të kthyera në beton, përpara një resorti ku një pjesë e zhvillimeve edhe në brendësi të zonës së pishave janë ndërtime të paligjshme për qëllime fitimi, është trajtuar nga mediat e zotit Irfan Hysenbelliu si sulm ndaj linjës editoriale të tyre”.
“Nuk është hera e parë që mediat News24, Balkanweb dhe Panorama synojnë të mbulojnë problemet e pronarit të tyre me ligjin, duke marrë rolin e viktimës së lirisë së shtypit”, thuhet në njoftim.
“Edhe më keq se kaq, këto media e kanë bërë mesa duket rrugë përdorimin e shantazhit, shpifjes dhe denigrimit ndaj autoriteteve shtetërore, sa herë zoti Irfan Hysenbelliu ka rënë në rrjetën e kontrolleve ligjore”, shton ministria.
“Pre e kësaj mënyre të ulët të keqpërdorimit të mediave si imunitet ndaj ligjit të pronarit, kanë rënë kohët e fundit drejtori i tatimeve dhe më pas drejtori i doganave. Ata u kthyen në shënjestra fushatash denigruese të News24, Balkanweb dhe Panorama, sepse agjencitë e të ardhurave të shtetit konstatuan një evazion fiskal me përmasa shqetësuese në biznese të lidhura me zotin Irfan Hysenbelliu”, nënvizon Ministria e Brendshme.
“Sot këto media e kanë nisur ditën me shantazhe, shpifje dhe me denigrimin e drejtores së sapoemëruar të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Ato kanë thënë se drejtori i këtij Inspektoriati paska dhënë dorëheqjen sepse ka kundërshtuar rifillimin e operacionit “Bregdeti Ynë” me pikërisht aksionin për çbetonizimin e plazhit dhe detit para resortit të zotit Irfan Hysenbelliu. Kjo është krejtësisht e pavërtetë”, thuhet në njoftimin e MB.
“Zoti Ajet Zyberi do të drejtojë operacionin e ri kombëtar të Task Forcës kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, i cili do të nisë javën e ardhshme pas shpalosjes së planit të qeverisë për të përballuar vjeshtë-dimrin në kushtet e krizës ndërkombëtare të energjisë”, përfundon njoftimi i ministrisë.
Kujtojmë se që në orët e para të mëngjesit, fadroma e IKMT ka mbërritur në ‘Prestige Resort’ ku edhe prishi dy pishinat.
Ndërkohë aksioni vijon ende.
Fraksion.com