AktualitetRajoniTë fundit

“Hungaria mbështet nismën e ‘Ballkanit të hapur’”

Ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë së Hungarisë, Peter Szijjarto shprehu sot mbështetjen e Hungarisë për nismën e “Ballkanit të hapur”, duke theksuar gjithashtu se “nëse do të varej nga Hungaria Ballkani Perëndimor do të ishte integruar tashmë në BE”

“Lufta në Ukrainë, pasojat e saj ekonomike dhe kriza katastrofike e furnizimit me energji, kanë krijuar një mjedis në Evropë që në fakt ka qenë një thirrje për BE-në dhe Evropën. E vërteta është që udhëheqësit e BE nuk qenë në gjendje që të parandalonin që evropianët të paguanin çmimin e luftës për të cilën nuk janë aspak përgjegjës. Në rrethanat aktuale ne besojmë se na duhet të shohim sesi të shmangim problemet e mëtejshme dhe sesi mund të shmangim që pasojat e luftës të bëhen fatale për kontinentin tonë”, tha Szijjarto.

“Mendoj që situata aktuale duhet ta bëjë më të dukshme se kurrë për gjithkënd se politika e zgjerimit duhet të jetë politika më e rëndësishme tashmë e BE. Evropa padyshim ka nevojë për Ballkanin Perëndimor. Unë besoj që integrimi i vendeve të përfaqësuara rreth kësaj tryeze tashmë, mund të kontribuonte pa asnjë dyshim për të rritur sigurinë evropiane në tri aspekte. Së pari sigurinë fizike. të gjithë ne e dimë se lufta ka një ndikim shumë të rëndë globalisht. konkretisht kriza globale e furnizimit ushqimor. E dimë që qindra milionë njerëz kërcënohen nga mosmarrja e mjaftueshme e ushqimit për shkak të luftës në Ukrainë. këtu na duhet të shprehim vlerësimin tonë për Turqinë, për përpjekjen e vetme të suksesshme për ndërmjetësim midis dy palëve”, u shpreh ai.

“Ne e dimë që vuajtja nga uria mund të bëhet një faktor shtytës për migracionin dhe na duhet që të përballemi me valë të tjera migratore. Dhe për fat të keq shenjat e para janë shfaqur në kufijtë tanë ku po përballemi me një nivel të ri agresioni nga emigrantët dhe nga kontrabandistët. këtu dua t’i shpreh vlerësimin autoriteteve serbe që kanë bërë kaq shumë përpjekje për të mbrojtur kufirin midis dy vendeve tona”, theksoi Szijjarto.

“Në mënyrë që të shmangim skenarët me të cilët u përballëm në 2015-ën na duhen veprime të bashkërenduara së bashku me vendet e pranishme këtu të Ballkanit Perëndimor. Ja pse besoj që integrimi i këtij rajoni padyshim do të na ndihmonte ne evropianëve për të shmangur një trysni të dyfishtë sigurie nga lindja dhe nga jugu”, tha Szijjarto.

Së dyti, shtoi ai, “siguria e furnizimit me energji. Hungaria do të ishte vërtetë në një situatë shumë problematike po të mos kishte ndërtuar gazsjellësin me Turqinë, Bullgarinë dhe Serbinë, gazsjellësin turk. Sepse po të shikosh energjia ka të bëjë me faktet dhe jo me ideologjinë. Sepse me ideologjinë t’i nuk ngroh dot shtëpinë tënde, nuk ke ujë të ngrohtë. Ideologjikisht nuk mund të gatuash. Është një çështje fizike, ose ke gaz ose nuk ke gaz. Dhe në fakt gjetja e një burimi energjie nuk është një deklaratë politike. po të mos kishim ndërtuar këtë gazsjellës do të ishim vërtetë në një situatë të vështirë, sepse po të shohësh sot gazsjellësit evropianë ky është korridori më i sigurt dhe i besueshëm i transitit. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për turbulencat, problemet, ndërprerjet dhe uljet e vëllimeve të furnizimeve në pjesët perëndimore. Ballkani Perëndimor na ofron një transit të sigurt dhe një transit absolutisht të besueshëm kur vjen fjala për sigurinë e furnizimit me energji për ne”, u shpreh Szijjarto.

“Aspekti i tretë është siguria ekonomike. Ekonomia evropian ka vuajtur jo vetëm nga COVID-i. sa dolëm nga COVID-i lufta sërish e goditi ekonominë. Kështu tregjet e përbashkëta janë të rëndësishme. Për shembull Hungaria ka rritur tregtinë me 3 herë gjatë viteve të fundit me vendet këtu në tryezë. E kemi rritur me 87% vëllimin tregtar me këto vende rreth kësaj tryeze. kompanitë tonë janë udhëheqëset e tregut në këto vende”, tha ai.

“Dua të theksoj sesa shumë Hungaria e mbështet nismën e “Ballkanit të Hapur”. me krijimin e Ballkanit të hapur vendet rreth kësaj tryeze hodhën hapat e nevojshme drejt integrimit në BE. Është koha tashmë që Bruskeli të veprojë. Është koha tashmë që të tejkalohet situata e turpshme që ne, Brukseli, apo BE, janë gjithnjë 2, 3 hapa pas asaj çfarë duhet të ishin. Duhet ta bëjë shumë të qartë që nëse do të varej nga Hungaria Ballkani Perëndimor do të ishte integruar tashmë në BE. Qartësisht edhe ne jemi të shqetësuar se çfarë ndodh në politikën e zgjerimit në Bruksel aktualisht. Hungaria është e gatshme të bëhet pjesë e bashkëpunimit të ngushtë të vendeve të “Ballkanit të Hapur” kur vjen fjala për tregun e integruar të energjisë qoftë ky gaz apo energji elektrike duke krijuar shkëmbime të përbashkëta të energjisë. Jemi gati t’i bashkohemi këtij bashkëpunimi të ngushtë kur vjen fjala për sigurinë ushqimore. Dhe jemi gati të jemi pjesë e  bashkëpunimit tuaj të ngushtë kur vjen fjala për tërheqjen e investimeve në këtë rajon”, u shpreh Szijjarto.

Szijjarto nënvizoi në fund se, “pasi të gjithë anëtarët e kanë organizuar Samitin, Budapesti po kështu do të ishte gati ta mbante këtë Samit”.

 

Fraksion.com