Berisha: Vuçiç po e përdor “Ballkanin e hapur” për t’iu kundërvënë nismës së Berlinit
Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se në aferën e Portit të Durrësit janë përfshirë grupe të rrezikshme antishqiptare dhe antieuropiane.
Në një konferencë për mediat, duke folur për projektin në Portin e Durrësit, Berisha u shpreh se “kemi të bëjmë me një dorëzim të portit më të rëndësishëm të Shqipërisë mafies më të rrezikshme, Edi Ramës, vëllezërve Kariç dhe Vuçiçit pas tyre.Vëllezërit Kariç janë aksionerët kryesorë të dy kompanive të Alabarit në Beograd.Përsëri kjo kompani arabe ka tentakulat e saj në Minsk, ku kompania e Minskut ka për president, ndihmësin kryesor të Lukashenkos. Në këtë kontekst, jo vetëm që Edi Rama po ndërton Dubain e tij, të familjes së tij, por po e ndërton atë me grupe të rrezikshme antishqiptare dhe antieuropiane, siç janë biznesmenët të Bjellorusisë dhe ata të Beogradit”.
Berisha tha se nuk do njohim asnjë vendim për Portin e Durrësit, dhe Rama do mbajë përgjegjësi penale.
“E vërteta është se në këtë aferë multimiliardëshe kemi të bëjmë me një bashkëpunim të gangsterëve politikë të rajonit, me ata të Vladimir Putinit në Bjellorusi. PD denoncon me forcën më të madhe këtë projekt të Edi Ramës dhe Alabar. U bën thirrje qytetarëve të Durrësit të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për të blerë apartamente nga kompania fantazmë Rama-Alabar dhe garanton se nuk do të njohë asnjë vendim, por do bëjë përgjegjës penal Edi Ramën për dëmin e tmerrshëm që i ka krijuar vendit me mbylljen de facto të portit kryesor”, tha ai.
Po ashtu Berisha foli për nismën “Ballkani i hapur”, ku u shpreh se është nismë antishqiptare.
“Aleksandër Vuçiç, një serbomadh sa Millosheviçi, sa Xhorxheviçi, po e përdor “Ballkanin e hapur” në çdo aspekt. Po e përdor për t’iu kundërvënë nismës së Berlinit, për të vendosur hegjemoninë serbe në Ballkan dhe influencën ruse. Po e përdor për të shkatërruar prodhimin në Shqipëri dhe Maqedoni, pasi asnjë rregull nuk është përcaktuar në tregun e lirë. Po e përdor për të dejonizuar politikisht Prishtinën, por kjo i dështoi. I dështoi sepse Perëndimi e ka të qartë se kufiri i tij në Ballkan është kufiri me Kosovën”.
Fraksion.com