Atentat në Vlorë: Qëllohen dy policë jashtë shërbimit, nga një ‘Audi’ në lëvizje
Dy policë janë qëlluar me armë nga një person ende i paidentifikuar në lagjen “Partizani” të Vlorës.
Autori po lëvizte me një automjet tip “Volkswagen” ndërsa qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi” me të cilin udhëtonin Anxhelo Breshani, punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Vlorës dhe Nako Mehmetaj, punonjës i Policisë Kufitare Sarandë.
Në momentin e ngjarjes, punonjësit e policisë kanë qenë jashtë shërbimit, duke udhëtuar me automjet privat.
Ata kanë thënë se janë gjetur në befasi para plumbave dhe se nuk kishin arritur ta identifikonin autorin. Ata kanë mundur të shohin vetëm mjetin tip “Volswagen”.
“Rreth orës 19:40, në lagjen “Partizani”, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se nga një automjet tip “Volkswagen”, një shtetas ende i paidentifikuar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi” me të cilin udhëtonin shtetasit A. B., me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe N. M., me detyrë punonjës i Policisë Kufitare Sarandë, të cilët nuk kanë pësuar dëmtime. Në momentin e ngjarjes, punonjësit e Policë kanë qenë jashtë shërbimit, duke udhëtuar me automjet privat. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit“, sipas policisë.
Nuk dihet ende nëse kjo ngjarje lidhet me detyrën, apo për shkaqe të tjera.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Kjo është ngjarja e dytë kriminale në vend pa mbushur ende 24 orë.
Kujtojmë se gjatë mëngjesit të kësaj të premteje u ekzekutua me breshëri plumbash 57-vjeçari Ismet Çekorja, i cili katër ditë më parë doli në media duke kërkuar drejtësi për djalin që i ishte akuzuar për vrasje.
Kjo javë dhe e gjithë vera është e mbushur me ngjarje kriminale, ku vetëm gjatë tre muajve të këtij sezoni janë vrarë 30 persona.
Ndërsa gjatë 8 muajve të 2022-shit janë vrarë 48 persona për motive të dobëta apo hakmarrje me skema mafioze siç ishte rasti i Fushë-Krujës apo Milotit me në total pesë të vrarë.
Fraksion.com