Vrau vëllanë dhe kunatën në Tiranë, lihet në burg Arsen Muskurti! Avokati: Merrte mjekime për shëndetin mendor, armën e kishte me leje
Arsen Muskurti, autori i vrasjes së dyfishtë në Tiranë është lënë në burg. Gjykata Penale pranoi kërkesën e Prokurorisë për arrest me burg për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vrasje në rrethana familjare të 2 personave”. Gjyqtari i seancës ishte Artan Gjermeni. Sapo mbërriti brenda sallës, Arsen Muskurti përshëndeti me dorë mediat. Ashtu siç kreu krimin, me gjakftohtësi, edhe gjatë seancës gjyqësore, ka pranuar se ka vrarë vëllanë dhe kunatën.
Ndërsa avokati u shpreh se armën e kishte me leje dhe u vetëdorëzua në komisariat, duke hedhur kështu poshtë deklaratën e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi se policia në bashkëpunim me forcat RENEA vunë në pranga në kohë rekord autorin. Sipas avokatit, Muskurti ishte në gjendje të rëndë psikologjike dhe merrte mjekime ndërsa kishte bërë disa kallëzime ndaj viktimave, por pretendon se nuk ishin marrë parasysh nga policia. Ngjarja e rëndë ndodhi më30 gusht,ku autori qëlloi vëllanë dhe motrën brenda në agjencinë turistike që ishte në pronësi të viktimave.
“Është dorëzuar vetë, kam parë shumë trillime nga mediat, më ka dërguar mua personalisht që ta dorëzoj, kemi shkuar vetë në ambientet e komisariatit që ta bëjmë dorëzimin. Ka qenë në gjendje shumë të rënduar psikologjike. Merrte dhe mjekime. Ai ka kryer 7 kallëzime penale ndaj të ndjerit dhe ndjerës, ndërsa Policia e Shtetit nuk ka marrë asnjë masë. Kallëzimet janë sekret hetimor, nuk mund t’i nxjerrim. Por nuk është arratisur, jua bëj me dije. Që në vitin 2018, ka pasur probleme e merrte mjekime. Armën e ka pasur me leje dhe kemi paraqitur çdo lloj dokumentacioni të nevojshëm”, tha avokati.
Fraksion.com