Një MWh arrin 1040 euro në bursë, ministrja Balluku: Ka dy propozime për fashën 800 kWh, ja çdo të ndodhë me çmimin e energjisë
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka njoftuar sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se do të ketë konsultime për dy propozime që lidhen me vendosjen e fashës 800 kWh për familjet shqiptare.
Vendimi për nisjen e fashës nga 1 tetori 2022 u bë publik në muajin Prill nga qeveria dhe është shpjeguar si masë ndaj rritjes në bursat ndërkombëtare të çmimit të energjisë elektrike që prej fillimit të këtij viti.
“Është bërë studimi se sa familje preken dhe sa do jetë ky çmim. Mbrëmë në orën 20:00 çmimi në bursën hungareze që i referohemi arriti në 1040 euro për MWh. Mund ta llogarisni vetë sesa është kilovati për orë dhe nëse do ti ekspozonim qytetarët tanë përballë këtyre çmimeve do të ishte e pamundur, megjithatë fasha 800 kWh ka disa propozime nga Operatori i Shpërndarjes dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilat do të diskutohen nga Këshilli i Ministrave për t’u zgjedhur ajo që do të jetë më e mirë edhe për të optimizuar financat e sektorit, por edhe për të diferencuar mburojën sociale që i japim qytetarit për nevojat që një familje sa i përket energjisë elektrike dhe pastaj ata qytetarë që vendosin të shpenzojnë më shumë por që mbetet në diskrecionin e tyre për të paguar një çmim më të lartë”, tha Balluku.
Fraksion.com