AktualitetTë fundit

Tragjedi në Tiranë: Arsen Muskurti qëllon për vdekje vëllanë dhe kunatën, shkak konfliktet për pronën

Zona e “Mylsym Shyrit” në kryeqytet është tronditur këtë të martë pasdite, kur biznesmeni Arsen Muskurti ka vrarë me armë zjarri vëllanë dhe kunatën e tij.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në ambientet e një lokali.

Konflikti mbi pronën dyshohet të jetë shkaku që shtyu Arsen Muskurtin (që mban dhe emrin Hamza Kastrati) të vrasë vëllanë 44-vjeçar dhe kunatën.

Dy vëllezërit kanë qenë bashkëpronarë të një agjencie turistike, por në vitin 2018 biznesi kaloi në pronësi të viktimës.

Autori i dyshuar i krimit

Dy vëllezërit dyshohet se janë konfliktuar në zonën e “Myslym Shyrit”, në rrugën “Islam Alla”,  dhe debati ka degraduar në përdorimin e armës.

FNSH dhe Renea kanë arritur të kapin autorin e vrasjes së çiftit Dritan dhe Nora Muskurti në zonën e “5 Majit” pas dy orësh kërkime, ndërsa ishte i armatosur.

Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes kanë qenë shumë banorë të zonës dhe kalimtarë të rastit.

Viktimat Dritan dhe Nora Muskurti

Kjo vrasje e dyfishtë është e dyta në harkun e pak orëve. Natën e kaluar në Lezhë, Besnik Pjetri vrau ish-kunatin Gent Përjaku dhe ish-vjehrrin Pjeter Përjakun. Vrasja ndodhi në fshatin Grykë Zezë të Lezhës pas një konflikti që erdhi pas divorcit të Besnik Pjetrit me vajzën e familjes Përjaku.

Me këto ngjarje rritet më tej bilanci i vrasjeve. Vetëm gjatë kësaj vere 29 persona janë vrarë, duke vënë në pikëpyetje sigurinë për jetën në vendin tonë.

 

Fraksion.com