AktualitetRajoniTë fundit

Maqedoni e Veriut, stuhi me reshje të dendura të shiut përfshin Shkupin

Stuhia me shi të dendur, erëra të forta dhe breshër, që përfshiu zonën e gjerë të kryeqytetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shkupin, shkaktoi përmbytje nëpër rrugë, nënkalime, hyrje të ndërtesave, shtëpive dhe oborreve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Si pasojë e stuhisë që ka përfshirë zonën më të gjerë të Shkupit, e shoqëruar me erë të fortë dhe reshje të dendura shiu, në numrin e telefonit 112 kemi paraqitje për pemë të rëna, shkatërrim të çative, automjete të bllokuara, hapësira të përmbytura”, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza e Maqedonisë së Veriut.

Shiu i dendur dhe breshëri e vështirësuan lëvizjen nëpër rrugët, duke përmbytur rrugët.

Pas stuhisë, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, thirri mbledhje urgjente të Shtabit të Krizave të Qytetit të Shkupit.

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza e Maqedonisë së Veriut njoftojnë se nga stuhia pasditen e sotme përveç Shkupit janë përfshirë edhe Shtipi, Velesi, Demir Hisari dhe Sveti Nikolla.

Drejtoria e Çështjeve Hidro-Meteorologjike e Maqedonisë së Veriut njoftoi se moti i paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme, vetëtima dhe erë të fortë do të vazhdojë deri të premten, veçanërisht në orët e pasdites.

 

Fraksion.com