Kina vendos masa izoluese për miliona banorë në afërsi të Pekinit
Miliona banorë në zonat afër Pekinit në Kinë janë urdhëruar që të izolohen më 30 gusht, teksa autoritetet po shtojnë përpjekjet që të frenojnë përhapjen e koronavirusit para se Partia Komuniste të mbajë një mbledhje gjatë këtij viti.
Pothuajse 4 milionë persona në provincën Hebei, që gjendet në rrethinë të Pekinit, u urdhëruan që të qëndronin në shtëpi deri në fund të javës, teksa autoritetet po tentojnë që të frenojnë disa shpërthime të vogla të virusit.
Ndërkaq, mbi 13 milionë persona në qytetin-port të Tianjinit duhet t’iu nënshtrohen testeve për sëmundjen COVID-19, pasi në këtë qytet janë raportuar 51 raste.
Kina është ekonomia e vetme e madhe në botë që ende aplikon masa të ashpra kundër koronavirusit. Shteti ende vendos masa izoluese, kufizime të udhëtimeve dhe urdhëron testime në masë.
Pekini po aplikon masa të rrepta kundër pandemisë para mbajtjes së Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste. Kjo mbledhje pritet të mbahet brenda tre muajsh.
Menaxhimi i pandemisë shihet gjerësisht si trashëgimia kryesore politike e presidentit Xi Jinping, i cili pritet që të fitojë një mandat të tretë presidencial gjatë Kongresit të Partisë Komuniste.
Po ashtu, masa për kufizimin e udhëtimeve po aplikohen në qytetin më të madh kinez Çengdu. Ndërkaq, në Shenzhen, dy qarqe janë pjesërisht të izoluara dhe Huaqiangbei është po ashtu nën izolim.
Në Futian janë mbyllur kinematë, baret dhe parqet deri të premten, ndërkaq tubimet e mëdha publike janë anuluar.
Rastet e para në botë me koronavirus janë regjistruar në fund të vitit 2019 në Vuhan të Kinës. Që atëherë, shteti kinez ka aplikuar masa të ashpra kundër pandemisë.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins deri më tani në botë janë regjistruar mbi 601 milionë raste me koronavirus dhe mbi 6.4 milionë vdekje.
Fraksion.com