AktualitetPolitikëTë fundit

Fëmijëve të majorit Klodian Tanushi dhe mjekut Leonard Kamberi iu akordohet statusi “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”

4 fëmijë përfituan sot statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”. Bëhet fjalë për 3 fëmijët e Dëshmorit të Atdheut, major Klodian Tanushit dhe mjekut obstetër-gjinekolog të spitalit rajonal të Vlorës, doktorit të ndjerë, që humbi jetën nga COVID-19, doktor Leonard Kamberit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në një takim me familjarë të fëmijëve që përfituan këtë status se, “ne na vjen mirë që kemi krijuar mundësinë që t’i japim mbështetje të plotë fëmijëve që faktikisht do të kenë 150 % të pagës së prindit deri kur të dalin në jetë. Natyrisht që asgjë nuk e kthen prindin, por në të gjitha rastet këta janë fëmijë të Republikës sepse baballarët e tyre ishin shërbëtorë të denjë të Republikës edhe janë heronj të denjë të Republikës”.

“Kështu që ju uroj me gjithë zemër çuna që të jeni të denjë për babin dhe për mamin vazhdimisht, sepse motra është e vogël akoma. Dhe ne do të jemi gjatë gjithë kohës me ju, por edhe pasi të mos jemi ne të jenë të tjerë, këtë ligj nuk e ndryshon kush, se nuk ka asnjë arsye ta ndryshojë. kështu që deri kur të dilni nga universiteti juve do të jeni nën kujdesin e mamit patjetër, por edhe të Republikës, përmes qeverisë.

Kjo është diçka që kishim kohë që dëshironim ta bënim. S’i kemi pasur mundësitë ta bëjmë që në krye të herës, por faktikisht mundësitë u krijuan, edhe tani për të gjithë këta fëmijë ne jemi shumë të kënaqur që nuk mjaftohet shteti me një shumë në momentin kur ndodh fatkeqësia, siç ndodhte përpara, por është një ndihmë permanente, domethënë nga pikëpamja financiare deri në fund këta fëmijë janë sikur ta kenë prindin gjallë. Madje edhe më shumë sesa paga”, tha Rama.

Pas dy fazave të para, ku statusi i veçantë i është akorduar 15 fëmijëve, bij të heronjve që sakrifikuan jetën në krye të detyrës apo për të shpëtuar jetë të tjera, do të vijojë procesi i shqyrtimit të dosjeve nga komisioni i posaçëm për “Fëmijët në Përkujdesje të Republikës”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh se, “në fazën e dytë të aplikimeve për dhënien apo akordimin e statusit për “Fëmijët në Përkujdesje të Republikës”, janë 2 familje, apo janë 4 fëmijë të cilëve ne i akordojmë sot këtë status”.

“Ia akordojmë 3 fëmijëve të majorit, Dëshmorit të Atdheut, Klodian Tanushi dhe mjekut obstetër gjinekolog të spitalit rajonal të Vlorës, doktorit të ndjerë, heroit tonë që humbi jetën nga COVID-19, doktor Leonard Kamberit. Aurora sot, ajo është 1 vjeç e pak, nuk vinte dot, por Aurora ka lindur 1 ditë pasi ka humbur jetën doktori i ndjerë”, tha Manastirliu.

 

Fraksion.com