“Rusët”: Ministrat e BE-së mblidhen në Pragë, t’u ndalojnë udhëtimet pa viza
Ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm të Bashkimit Evropian, mblidhen në Pragë këtë javë dhe do të diskutojnë opsionet për ngritjen e një misioni trajnimi ushtarak të BE-së për forcat ukrainase dhe gjithashtu do të shqyrtojnë thirrjet e disa anëtarëve për të ndaluar hyrjen e turistëve rusë në bllok.
Shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë, Josep Borrell, ka dhënë pak detaje të planeve të tij deri më tani, duke thënë thjesht se një program i tillë nuk do të bazohej në Ukrainë, por në vendet fqinje.
Lufta gjashtëmujore në Ukrainë mbetet një prioritet i politikës së jashtme për Bashkimin Evropian dhe kur ministrat e jashtëm të bllokut të takohen në Pragë të martën, një ndalim i propozuar i vizave për rusët do të jetë në krye të agjendës së tyre.
Çekët, të cilët aktualisht mbajnë presidencën e rradhës të BE-së, po bëjnë presion për një ndalim në të gjithë BE-në të sistemit të vizave për turistët rusë, një ide e mbështetur kryesisht nga vendet baltike.
Megjithatë, Gjermania, disa vende të tjera anëtare dhe Borrell e refuzojnë një masë të tillë, duke argumentuar se mund të shkelë rregullat e BE-së.
Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis ka thënë se Estonia, Letonia, Lituania, Polonia dhe Finlanda, të cilat të gjitha ndajnë një kufi me Rusinë, mund të veprojnë vetë për të bllokuar turistët nëse BE-ja nuk bie dakord për një ndalim të gjerë në gjithë bllokun.
Rusët kryesisht hyjnë në BE përmes kufijve tokësorë të pesë vendeve fqinje qëkur fluturimet direkte midis Rusisë dhe bllokut u pezulluan, pas pushtimit të Ukrainës. Në mesin e gushtit, Estonia mbylli kufirin e saj për më shumë se 50,000 rusë me viza të lëshuara më parë, vendi i parë në BE që e bën këtë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i bëri thirrje Perëndimit në fillim të këtij muaji që të vendosë një ndalim të përgjithshëm të udhëtimit për rusët, duke shkaktuar zemërim te Moska. Kryetari i Dumës Shtetërore të Rusisë, Vyacheslav Volodin, ka thënë se Bashkimi Evropian do të humbasë 21 miliardë euro nëse vendos të ndalojë hyrjen për turistët rusë.
Volodin tha se me moslejimin e hyrjes së turistëve nga Rusia, Evropa do të dëmtojë vetëm ekonominë e saj, pasi rusët gjithmonë do të kenë destinacione të tjera ku mund të udhëtojnë.
“Evropa do të humbasë 21 miliardë euro për shkak të kufizimeve në hyrjen e qytetarëve tanë. Duke tërhequr një perde të hekurt rreth vendeve të tyre, ata e ndëshkojnë veten për shkak të marrëzisë dhe injorancës së tyre”, shkroi Volodin në kanalin e tij zyrtar Telegram.
Fraksion.com