Konferenca e Shefave të Mbrojtjes Ushtarake të NATO-s do të mbahet në Estoni
Autoriteti më i lartë Ushtarak i NATO-s, Komiteti Ushtarak, do të takohet nga 16-18 shtator 2022, në Talin, Estoni. Gjeneral-lejtnant Martin Herem, Shefi i Forcave të Mbrojtjes të Estonisë do të presë Konferencën.
Gjatë Konferencës së Komitetit Ushtarak të NATO-s, shefat e mbrojtjes do të diskutojnë zhvillimet strategjike ushtarake brenda Aleancës. Ata do të trajtojnë zbatimin e vendimeve të marra gjatë Samitit të NATO-s në Madrid për parandalimin dhe qëndrimin mbrojtës të Aleancës. Shefat e Mbrojtjes do të diskutojnë gjithashtu operacionet, misionet dhe aktivitetet e vazhdueshme të NATO-s, duke përfshirë misionin e NATO-s në Irak (NMI) dhe Forcën e Kosovës (KFOR). Tema të tjera në axhendë janë promovimi i diversitetit dhe inovacionit në Forcat e Armatosura Aleate, për të mbështetur operacionet me shumë domene dhe transformimin dixhital. Për herë të parë, si të ftuar, shefat e mbrojtjes së Finlandës dhe Suedisë do të marrin pjesë në konferencë.
Admirali Rob Bauer, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, drejton Konferencën e Komitetit Ushtarak. Ai do të mbështetet në çdo sesion nga gjenerali Christopher G. Cavoli, (Komandanti Suprem i Aleatëve për Evropë – SACEUR) dhe gjenerali Philippe Lavigne (Komandanti Suprem i Aleatëve për Transformimin – SACT).
Komiteti Ushtarak mblidhet, në Sesionin e Shefave të Mbrojtjes, dy herë në vit në selinë e NATO-s në Bruksel dhe një herë në vit mbahet një Konferencë nga një shtet anëtar aleat. Komiteti Ushtarak mblidhet për të diskutuar operacionet, misionet dhe aktivitetet e NATO-s dhe për t’i dhënë Këshillit të Atlantikut të Veriut këshilla ushtarake të papenguara dhe të bazuara në konsensus se si Aleanca mund të trajtojë më së miri sfidat e sigurisë globale. Në baza ditore, puna e saj kryhet nga Përfaqësuesit e Përhershëm Ushtarak në selinë e NATO-s në Bruksel.
Fraksion.com