Autobusi me turistë “fluturon” nga rruga, 5 të vdekur në Turqi
Pesë vetë humbën jetën dhe 38 të tjerë u plagosën kur një autobus me turistë përfundoi në një rrëpirë, në provincën veriperëndimore turke të Bursës.
Autobusi po udhëtonte nga Kütahya për në Mudanya duke transportuar një grup vizitorësh drejt qytetit bregdetar, kur ndodhi fatkeqësia. Në mesin e viktimave është shoferi dhe katër pasagjerë.
Një hetim ka nisur menjëherë nga autoritetet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes së rëndë, të ndodhur në një zonë të dendur pyjore. Autobusi përfundoi 20 metra poshtë.
Javën e kaluar, 34 persona vdiqën në provincat Gaziantep dhe Mardin, përkatësisht në Turqinë jugore dhe juglindore, kur kamionë dhe një autobus u përplasën me automjete të përfshirë më parë në aksidente më të vogla.
Në Turqi, aksidentet e trafikut marrin jetën e qindra njerëzve çdo vit. Të dhënat e departamentit të trafikut të policisë turke tregojnë se aksidentet rrugore kanë vrarë 920 vetë dhe kanë plagosur 128 mijë të tjerë brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti. Shkak kryesor i tyre konsiderohen gabimet e shoferëve.
Shumica e aksidenteve kanë ndodhur në zona të banuara, ndërsa pjesa tjetër në zonat rurale të vendit me popullsi të rrallë ose përgjatë autostradave.
Fraksion.com