AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Uzina në Gramsh e deklasifikuar, shqetësim qëllimi i të ndaluarve

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në ngjarjen e Gramshit nuk u cenua siguria kombëtare pasi ato objekte janë karakatina të deklasifikuara si objekte me rëndësi të veçantë në vitin 2012.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, Rama iu përgjigj interesimit të gazetarëve mbi ngjarjen e ndodhur në Gramsh, ku u ndaluan tre shtetas të huaj.

“Nuk kam pasur mundësi të shprehem lidhur me këtë edhe pse ministri i Mbrojtjes bashkë me ministrin e Brendshëm kanë bërë gjithë shpjegimet e nevojshme. Mjegulla e ngritur mbi të ashtuquajturat objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë objekte të rëndësisë së veçantë, ato nuk janë as fabrika që prodhojnë armë, ato janë karakatina të deklasifikuara si objekte me rëndësi të veçantë në vitin 2012″, tha Rama.

Sipas tij, ato kanë statusin e sh.p.k.-ve që janë absolutisht të falimentuara dhe që janë deri në pikën ku për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë dritat, ju priten dhe dritat”.

“Kanë disa roje aty që janë për të mbrojtur atë perimetër nga zaptimet etj. Të thuash se po bëjnë spiunazh duke fotografuar ato mbetje arkeologjike të komunizmit është shumë qesharake, ndërkohë që ajo që duhet t’ju shqetësonte dhe na shqetëson ne është se këta persona çfarë qëllimesh të vërteta kanë në vendin tonë. Sepse një mision spiunazhi që shfaqet me një veturë sportive që duket sikur thërret: ‘aman hajdeni e më shihni, e më kapni se jam e veçantë’, është pak si qesharake”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se i takon hetimit të nxjerrë më shumë për këtë.

“Shqetësimi ynë është ku është qëndrimi i vërtetë, përveç krijimit të kësaj mjegulle që në fund të ditës i shërbeu nxitjes së një sekëlldie dhe s’po them paniku, se nuk besoj se ka pasur panik. Pashë që në fakt njerëzit e zakonshëm duke përdorur rrjetet sociale bënë shumë humor me këto lloj kronikash dhe reportazhesh fantazmagorike dhe këto lloj thirrjesh të urrejtësve profesionist për rrëzimin e ngrehinës së sigurisë kombëtare”, tha Rama.

Ndërkohë, ai tha se “duhet të shohim nga hetimi dhe gjykimi se ku është qëllimi i vërtetë, pasi nuk ka lidhje kjo me objekte”.

“Në kohën kur bëhet luftë yjesh e flitet për sofistikime ekstreme, për predha e raketa supersonike që nisen nga një anë e botës dhe arrijnë në tjetrën, të flasësh për cenim të sigurisë kombëtare se u shfaqën disa personazhe të dyshimtë, me aparate për të fotografuar mbetjet arkeologjike të industrisë ushtarake të komunizmit, është qesharake. Pra, thelbi është: këta persona të cilët për fat të mirë u ndaluan nga rojet që bënë detyrën e tyre janë persona të dyshuar për spiunazh, kjo është shumë e qartë, por çfarë fshihet pas gjithë kësaj shfaqje që mori mendjen e gjithë dynjasë edhe me ndihmën tuaj, të reportazheve të reporterëve që shkonin atje, kërcenin mbi një kanal dhe nxirrnin një guvë që nuk kishte asgjë, flisnin për C4 e mbetje nukleare dhe ku di unë se çfarë”, tha Rama.

“Pyetja është çfarë në fakt fshihet pas gjithë këtij spektakli që u dha me ndihmën e gjithë kronikanëve dhe jo me pagesë. Nëse është një mision spiunazhi nuk pati nevojë të paguante asnjë sepse u vutë të gjithë në shërbim të atij misioni për të krijuar këtë zhurmë të madhe”, shtoi ai.

Kryeministri tha se “ajo që është e rëndësishme është të gjejmë arsyen e vërtetë dhe për këtë po punojnë grupet hetimore”.

I pyetur mbi hetimin e SPAK ndaj Ilir Metës dhe akuzat e hedhura nga ky  fundit ndaj qeverisë, Rama tha se “unë nuk flas kurrë në prezencë të miqve që na nderojnë nga jashtë dhe në prezencë të përkthyesve për çështje të politikës së brendshme”.

“Ky është parimi im. Mendoj se politika e brendshme nuk është një fushë që na takon ne si mikpritës të përfshijmë miq që jemi këtu për t’i nderuar. Nuk flitet në gjuhë të huaj për probleme të politikës së brendshme, kundërshtarë politikë, akuza e stërakuza politike, ndaj nuk do t’ju jap asnjë përgjigje”, tha Rama.

 

Fraksion.com