“Meta fshehu miliona euro në shtëpinë e tij”; Reagon djali i Luan Pobratit: S’kemi fjetur mbi para, babai im dinte shumë dhe fliste pak
Djali i Luan Pobratit ka reaguar pas lakimit të emrit të babait të tij nga ish-deputeti Halit Valteri
Valteri deklaroi para pak ditësh se Meta kishte fshehur miliona euro në shtëpinë e Luan Pobratit në vitin 2011, të cilat i rimori më pas.
“Të paktën këtë herë jepja atyre se nuk do të duhen më, mos u trego zemërgur siç u bëre në 2011, që i fshehe milionat e eurove tek shtëpia e Luan Pobratit dhe më pas shkove dhe i rimore, e i ndjeri iku nga kjo jetë me pishmanin se nuk i dhe as 100 euro për shërbimin e bërë.” – shkruante Valteri në reagimin e tij.
I biri i Pobratit, Klevi i ka hedhur poshtë deklaratat e Valterit duke thënë se pavarësisht se nuk e njeh ish-deputetin Valteri, e respekton si njeri publik.
Po kështu ai thekson se që para vitit 2011 e deri më 5 maj 2022 i ati ka qenë papunë dhe pa kontakte me politikane të rangjeve të larta.
Ai shkruan gjithashtu se të gjitha kontaktet që i ati ka pasur u harruan që në vitin 2005 pas zgjedhjeve të përgjithshme që formatuan ndryshe qeverisjen.
“Një ditë më parë në media dhe në disa portale është cituar një status i ish-deputit Halit Valteri. Sipas tij i ndjeri babai im, Luan Pobrati ka strehuar në një dhomë të madhe të shtëpisë sonë miliona euro të Ilir Metës.
Kjo paska ndodhur në vitin 2011 kur ne banonim në Rrugën e Kavajës në një apartament 1+1.
Sipas versionit të ish-deputetit, unë paskam fjetur mbi euro. Mirë do të kishte qenë se ndofta do kisha parë ëndrra të çuditshme, por jo.
Nuk e njoh zotin Valteri, por njohja nuk pengon që të kemi apo jo respekt për njerëzit publik.
Unë di se prej shumë vitesh, qysh para vitit 2011 e deri sa u nda nga jeta në 5 maj të këtij viti babai im ka qenë i papunë dhe pa kontakte me politikanë të rangjeve të larta.
Kontaktet që ka pasur ishin harruar që në vitin 2005, kur zgjedhjet e përgjithshme e formatuan ndryshe qeverisjen.
Babai im Luani, dinte shumë dhe fliste pak për shkak të integritetit të tij moral dhe profesional, ndaj është mire të respektojmë ata që nuk janë më në këtë jetë” – shkruan Klevi Pobrati në reagimin e tij.
Fraksion.com