AktualitetPolitikëTë fundit

“Do jem avokati i Shqipërisë dhe Maqedonisë i Veriut”; Anëtarësimi në BE, Bettel: Vendet s’mund të mbahen peng

Kryeministrit të Luksemburgut, Xavier Bettel deklaroi sot nga Tirana se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk mund të mbahen peng për arsye të politikave kombëtare.

Gjatë konferencës së përbashkët për mediet me kryeministrin Rama, Bettel tha se anëtarësimi në BE nuk është një projekt ekonomik dhe politik, por është një projekt paqeje.

Lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë, kryeministri i Luksemburgut vlerësoi se “rruga që keni bërë nga ajo kohë për t’u inkurajuar, është e jashtëzakonshme, por ka akoma potencial për marrëdhëniet tona”

“Për mua ka shumë gjëra që më motivuan për të mos thënë që do jem avokati i Shqipërisë dhe Maqedonisë i Veriut, por thjesht të them që nuk mund të mbahen vende peng për arsye të politikave kombëtare, kjo është gjëja e parë. Nuk mund të vendosim për të ardhmen e një vendi për arsye kombëtare”, nënvizoi

Ai solli në kujtesë që në ’57, Traktati i Romës ishte menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ku Franca dhe Gjermania ishin armiq dhe që nga ajo kohë arritëm të kemi paqe në territorin europian.

“Disa vende ishin më të ngadaltë në njohjen e gjithë këtyre detyrave, por për mua është e rëndësishme që për arsye të dukshme, arritëm të gjenim një marrëveshje dhe të bënim përpara. Nuk është thjesht që nesër do të bëhet gjithçka. Kjo e gjitha është një rrugë, është fillimi i rrugës”, u shpreh ai.

Me kryeministrin Rama, vijoi kryeministri i Luksemburgut, folëm sesi mund të bëjmë që Shqipëria të marrë pjesë në mënyrën më aktive duke thënë: “Ju hytë në sallën e parë të pritjes dhe keni sallën tjetër të pritjes”, por në këtë para familje, pra jo thjesht sallë pritjeje, por në këtë para familje të gjejmë format se si mund të marrë pjesë.

Sipas tij, idetë e Charles Michel dhe presidentit Macron janë shumë të rëndësishme për të parë sesi mund të kemi në Bashkimin Europian, nuk dua një Bashkim Europian ku kemi të gjithë avantazhe dhe jo detyrime, por të kemi diçka ku mund të bëjmë përpara në interesat e përbashkëta.

Në konferencën për mediet, Bettel u ndal edhe te bashkëpunimi mes të dy vendeve  në disa fusha, si në ekonomi, kulturorë dhe turizëm.

“Ne kemi ndërmarrje, firma nga Luksemburgu që po investojnë në rajon dhe është e rëndësishme që kur ato të bëjnë zgjedhjet, Shqipëria të bëjë pjesë në këto zgjedhje. Pikërisht arsyeja e kësaj ftese. U vonova pak për të ardhur e për t’u takuar në Tiranë, por shpresoj që ti të vish sa më shpejt në Luksemburg dhe të shohësh se si mund t’i bindim palët e ndryshme për të ardhur këtu. Është gjithashtu niveli ekonomik, por edhe niveli kulturor. Sot, Luksemburgu merr pjesë në festivalin e filmit frankofon, në një festival filmi që po ndodh këtu midis frankofonisë dhe kinemasë. Ka itinerare kulturore që mund të punojmë bashkë dhe është gjithashtu shumë e rëndësishme të shohim se çfarë mund të bëjmë në nivelin e studentëve. Të rinjtë janë vendimmarrësit e të nesërmes, janë ata që do ta jetojnë të nesërmen, se si mund të ketë shkëmbime mes universiteteve, qoftë në universitetet shqiptarë apo në universitetet e Duchy të Luksemburgut”, deklaroi ai.

 

Fraksion.com