AktualitetPolitikëTë fundit

Inceneratorët, Këlliçi: Rama i dha 22 milionë euro të shpallurës në kërkim Stela Gugallja

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka deklaruar sot nga selia blu se janë 5 pyetje që sot çdo shqiptar kërkon përgjigje në lidhje me skemën e inceneratorëve.

Ai deklaroi se 6 muaj pas vendimit për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në burim, kryeministri Edi Rama ndryshoi drejtim për t’i dhënë 22 milionë euro Stela Gugalles.

“Ju ftoj të shohim sot fillimin e historisë me mega-aferën e inceneratorëve. Kur nuk kishte interes korruptiv, në përputhje me Strategjinë dhe Planin e Veprimit të Mbetjeve, Edi Rama nxori VKM nr. 418 datë 25.06.2014 “Për Grumbullimin e Diferencuar të Mbetjeve në Burim”. Ky Vendim i Këshillit të Ministrave detyronte të gjitha bashkitë të merrnin masa brenda datës 31.12.2016 për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve.Këtu mund të shihni VKM që sapo përmenda.  Me të drejtë sot do të shtrojmë sërish 5 pyetje për inceneratorët: A është në fuqi ende apo u anulua kjo VKM? Çfarë interesi apo halli i madh ndodhi që u la në harresë dhe u injorua kjo VKM që ishte në përputhje me strategjinë dhe planin kombëtar të mbetjeve të financuara nga BE?”, shprehet ai.

Këllici shton se, “vetëm 6 muaj pas asaj VKM-je, duket se Edi Ramën një hall i madh, apo interes shumë më i madh e shtyu të ndryshonte drejtim dhe më 17 Dhjetor 2014 nxori VKM për t’i dhënë 22 milionë euro Stela Gugalles për një propozim të pakërkuar dhe të pacertifikuar për incineratorin në Elbasan”.

“Ndërkohë nëse do të shohim pak kontratën për Inceneratorin e Elbasanit do të shohim se: karakteristikat e inceneratorit (kapaciteti, fuqia, ndotja, etj.) të gjitha janë në kontratë, dhe, gjithashtu në aneksin A të kontratës do të shohim se pikërisht kjo zhgarravinë që ju shihni këtu është botuar në fletore zyrtare si karakteristikat e detajuara të inceneratorit për të cilin janë grabitur plotë 22 milionë euro para publike deri më sot”, tha ai.

 

Fraksion.com