AktualitetTë fundit

Plagosja e inspektorit të IMT, Veliaj: Dënim maksimal për kriminelin

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas ngjarjes së rëndë sot në Tiranë ku një punonjës i IMT u plagos në krye të detyrës.

Duke i uruar shërim të shpejtë inspektorit Ilirjan Gavelli, Veliaj kërkon prej institucioneve të drejtësisë dënimin maksimal ndaj autorit i cili ishte skeduar edhe me precedentë të mëparshëm kriminalë.

“Shërim të shpejtë Ilirianit tonë të IMT pas plagosjes në krye të detyrës për infrastrukturën nga një person me precedent penal, tashmë në pranga! I kërkoj organeve të drejtësisë rreptësi maksimale për kriminelin që ngre dorë për shkak të detyrës ndaj punonjësve të shtetit”, shprehet Veliaj.

Veliaj thekson se, “prej 7 vitesh bashkia e Tiranës nuk është tërhequr nga ASNJË projekt publik – as nga presidentët e lojtur, as nga rrugacët më famëkeq të vendit! Ta harrojnë se e ndalin dot zhvillimin e qytetit si kriminelët ordinerë ashtu dhe ordinerët e politikës që frymëzojnë dhunën”.

Ai tha se, jam më i bindur se kurrë se shumica morale dhe e ndershme e qytetit – që as zapton e as dhunon – e do progresin dhe refuzon t’i nënshtrohet dhunës së rrugës e asaj politike! Ndaj dhe jam më i vendosur se kurrë t’i çoj gjer në fund punët për një Tiranë që nuk ndalet.

Policia e Shtetit në njoftimin e saj pak orë më parë bën të ditur se, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1 kanë kapur dhe shoqëruar menjëherë autorin e dyshuar.

Policia ka sekuestruar dhe armën e zjarrit pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së krimit.

“Më datë 12.08.2022, rreth orës 17:30, në kryqëzimin e rrugës “Todi Shkurti” me rrugën “Kristaq Capo”, shtetasi Q. M., 55 vjeç, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri, punonjësin e IMT-së, shtetasin I. G., 52 vjeç, i cili sapo kishte përfunduar ekzekutimin e një vendimi. 52 vjeçari është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftim.

Autori është kapur nga shërbimet e Policisë dhe është shoqëruar në komisariat, së bashku me armën e përdorur gjatë kryerjes së krimit, për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

 

Fraksion.com