Tajvan, kërcënimi kinez rrit mosbesimin ndaj Pekinit
Ushtria kineze po zgjeron stërvitjet ushtarake provokuese rreth Tajvanit, disa ditë pasi manovrat ishin planifikuar të përfundonin. Kina thotë se po demonstron aftësitë për të bllokuar, ose pushtuar ishullin e vetëqeverisur, të cilin Pekini e quan të vetin. Siç njofton gazetari i Zërit të Amerikës Bill Gallo nga Taipei, kjo i ka shtuar më tej ndjenjat kundër Kinës në Tajvan, ndonëse banorët nuk duan që gjerat të ndryshojnë.
Përmes një shfaqje force të paparë në brigjet e Tajvanit, Kina po dërgon mesazhin se Tajvani nuk është një vend sovran. Por manovrat ushtarake po shkaktojnë një tjetër efekt, duke thelluar më tej opinion tajvanez kundër Kinës.
Në Taipei, shumica e banorëve janë mësuar të përballen me kërcënimet e Kinës, ndonëse shumë thonë se nuk janë aspak dakord me to.
“Pekini nuk po vepron mirë dhe nuk po më nxit mbështetjen për Kinën”, thotë Jay, i cili banon në kryeqytetin Taipei.
“Kina dëshiron të kontrollojë gjithçka – njerëzit, mënyrën e jetesës. Por në Tajvan, kemi të drejtat tona, të drejtën për të vendosur për jetën tonë”, thotë Ricky Su.
“Ata thonë se duan të na riedukojnë pas ribashkimit, çka tingëllon tmerrësisht e njohur”, thotë Dave, banor në Taipei.
Sikurse me Hong Kongun, Kina propozon për Tajvanin politikën “një shtet, dy sisteme”. Por shtypja kineze në Hong Kong i dha fund kësaj politike.
Ou Si Fu, me Institutin për Hulumtime të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare, thotë për Zërin e Amerikës se Tajvani nuk u beson premtimeve të Pekinit.
“Hong Kongu tani është pjesë e Kinës. Kinezët e harruan premtimin e tyre. Si mund t’i besojmë Pekinit?”
Por frika nuk po i pengon tajvanezët të shijojnë të sotmen. Ky ishull në vijën e parë të frontit, jo shumë larg stërvitjeve kineze, mbajti një koncert festiv gjatë fundjavës.
Wen Lii, i Partisë Demokratike Përparimtare, drejton zyrën e ishujve Matsu. Ai thotë për Zërin e Amerikës se veprimet e Pekinit po shtojnë antipatinë ndaj Kinës.
“Ne e kuptojmë se manovrat ushtarake janë një mënyrë për të komunikuar zemërimin, ose pakënaqësinë e Pekinit. Por stërvitjet janë një formë shumë e dhunshme komunikimi. Shërben vetëm për të rritur antipatinë që tajvanezët kanë ndaj qeverisë së Kinës”.
Në Taipei, ideja e bashkimit me Kinën është më e papëlqyeshme se kurrë. Shumica gjithashtu janë kundër shpalljes së pavarësisë. Anketat e opinionit publik sugjerojnë se shumica dërrmuese thjesht duan t’i mbajnë gjërat ashtu siç janë.
Fraksion.com