Këlliçi: Shqipëria “prodhon” më shumë emigrantë se vendet në konflikt
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi deklaroi sot se raporti i inteligjencës ushtarake britanike ka zbuluar se, 40 për qind e atyre që kalojnë Kanalin Anglez me gomone drejt Mbretërisë së Bashkuar, janë shqiptarë.
Në një deklaratë për mediet, Këlliçi citoi raportin duke thënë se në periudhën 1 qershor – 12 korrik, 1075 shqiptarë kanë kaluar ngushticën detare mes Francës dhe Anglisë me gomone dhe varka të vogla.
“Ajo që duam të theksojmë sot nuk është fenomeni i emigracionit, i vjetër sa vetë bota. Pyetja që ngremë nga kjo foltore është se, pse Shqipëria, një vend jo në konflikt, dhe që as nuk vuan nga ndonjë epidemi, thatësirë apo krizë tjetër, prodhon më shumë emigrantë se të gjitha ‘vendet e tmerrit’? Sipas raportit britanik, ndër ata që e kanë kaluar Kanalin Anglez, në një periudhë 6-javore, 13 për qind janë iranianë, 12 për qind afganë, 7 për qind irakenë, ndërsa me 5 për qind janë sirianët dhe eritreasit. Kreun e tabelës e kapin shqiptarët me 40 për qind. Nëse bëjmë një bilanc të shpejtë të gjendjes së këtyre shteteve rezulton se: Irani është në një regjim ajatollahësh, një diktaturë fetaro-politike, që shtyp dhe përndjek popullatën duke mohuar çdo liri dhe të drejtë”, tha ai.
“Kur nga një tokë e bekuar si jona qytetarët ikin, në dyfishin e shifrave në raport me vendet e rajoneve në luftë, atëherë Shqipëria është bërë një vend i pajetueshëm”, u shpreh ai.
Fraksion.com