Biden vizitë në Kentaki, premton ndihma pas përmbytjeve
Presidenti Joe Biden vizitoi të hënën një qendër të emergjencave në Kentakin lindor të shkatërruar nga përmbytjet. Zoti Biden mbrojti projektligjin e miratuar së fundmi në Senat, ndërsa sipas tij do të luftojë ndryshimet klimatike, që kanë shkaktuar probleme të shumta kohët e fundit. Sipas autoriteteve të Kentakit 38 persona humbën jetën nga përmbytjet.
Reshjet e dendura të shiut shkaktuan përmbytje në Kentakin juglindor në fund të muajit korrik. Mijëra njerëz u zhvendosën ndërsa u regjistruan dhjetëra viktima. Shtëpi, kënde lojërash apo shkolla u mbuluan nga uji.
Ndërsa banorët po përpiqen të rindërtojnë jetën e tyre, Presidenti Joe Biden gjatë një vizite në zonat e përmbytura tha se qeveria federale po punon sa më shpejt që të mundet për të ndihuar.
“Moti mund të jetë jashtë kontrollit tonë tani për tani… Por unë iu premtoj: Ne do të punojmë me autoritetet lokale derisa gjithçka të kthehet ku ishte në kohën përpara përmbytjeve”, tha presidenti Biden.
Të hënën zoti Biden autorizoi një rritje të fondeve federale për pastrimin e zonave të përmbytura në Kentaki. Presidenti mbrojti gjithashtu miratimin e
“Ligjit për Uljen e Inflacionit”, për të cilin administrata thotë se është “investimi më i madh ndonjëherë në luftën kundër krizës ekzistenciale të ndryshimeve klimatike”.
Projektligji për uljen e inflacionit, i miratuar të dielën nga Senati, parashikon 369 miliardë dollarë, ndër të tjera për të punuar drejt sigurisë së energjisë dhe krijimin e vendeve të punës në prodhimin e paneleve diellore, turbinave me erë dhe automjeteve elektrike në Shtetet e Bashkuara, me fuqi punëtore amerikane.
Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear falenderoi qeverinë federale dhe vullnetarët për ndihmën e tyre, ndërsa theksoi se shtetit të tij i duhet ndihmë afatgjatë.
“Bota na ka ardhur në ndihmë me shumë donacione, sa nuk e kishim parë ndonjëherë. Dua të bëj një thirrje, ndihmat tani na duhen në dollarë. Ajo që na duhen tani janë ndihmat financiare për rindërtimin afatmesëm dhe afatgjatë”, tha ai.
Presidenti tha se ai është i vendosur të vazhdojë mbështetjen afatgjatë.
“Ne jemi i vetmi vend në botë që kemi dalë nga çdo fatkeqësi e madhe edhe më të fortë. Objektivi këtu, nuk është vetëm të kthehemi atje ku ishim, është të bëhemi më mirë se sa ishim. Dhe ne kemi mundësinë ta bëjmë tani me projektligjin që është miratuar së fundmi”, tha zoti Biden.
Banorët e Kentakit janë ata që presin më shumë se të gjithë që çdo gjë të rregullohet dhe që të rindërtojnë jetën e tyre./voa
Fraksion.com