AktualitetBota+Të fundit

Rusi, basketbollistja amerikane dënohet me 9 vite burg. Reagon presidenti Biden

Një gjykatë ruse dënoi të enjten yllin e basketbollit amerikan Brittney Griner me nëntë vjet burg nën akuzat e lidhura me drogën, pasi e shpalli fajtore për “mbajtje dhe kontrabandë të lëndëve narkotike”. Presidenti Joe Biden e quajti vendimin “të papranueshëm”.

Basketbollistja u shoqërua nga salla e gjyqit në pranga nga policia pas vendimit dhe u tha gazetarëve: “Unë e dua familjen time.

31-vjeçarja Griner, fituese dy herë e medaljeve të arta olimpike dhe yll i Shoqatës Kombëtare të Basketbollit të Grave (WNBA), në Shtetet e Bashkuara, u arrestua në mes të shkurtit, kur mbërriti në Rusi për të luajtur për një skuadër ruse, pasi iu gjet në bagazh vaj kanabisi.

Ajo u gjend në mes të vorbullës gjeopolitike të shkaktuar kur Presidenti Vladimir Putin filloi agresionin rus në Ukrainë më 24 shkurt, duke i çuar marrëdhëniet SHBA-Rusi në nivelin më të ulët që pas Luftës së Ftohtë.

Prokurorët rusë kishin kërkuar 9.5 vjet burg për basketbollisten amerikane.

Gjykata ruse e shpalli fajtore basketbollisten Griner, “për sjellje të qëllimshme të lëndëve narkotike, megjithëse ato ishin të paligjshme”. Ajo tha në fjalën e saj para vendimit se futja e vaijt të kanabisit në Rusi ishte “një gabim i pafajshëm.”

Brittney Griner iu lut një gjyqtari rus më herët të enjten që të mos “t’ia mbyllte jetën” me një dënim të ashpër me burgim për futjen e vajit të kanabisit para se të shpërthente në lot në gjykatë.

UKRAINE-CRISIS/USA-GRINER-TRIAL
UKRAINE-CRISIS/USA-GRINER-TRIAL

Presidenti Biden, nën presion për të kthyer në vend amerikanët e mbajtur në Rusi, i bëri thirrje Rusisë që të lirojë menjëherë basketbollisten Griner dhe tha se administrata e tij do të vazhdojë të punojë për lirimin e saj.

“Sot, shtetasja amerikane Brittney Griner mori një dënim me burg, një kujetesë tjetër e asaj që bota e dinte tashmë: Rusia po e arreston pa të drejtë Brittneyn,” tha ai në një deklaratë.

“Është e papranueshme dhe i bëj thirrje Rusisë ta lirojë menjëherë në mënyrë që ajo të kthehet tek gruaja e saj, të dashurit, miqtë dhe ekipi i saj.”

Edhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken e denoncoi dënimin, duke shkruar në Twitter se ky vendim “nxjerr në pah shqetësimet tona për përdorimin e ndalimeve të paligjshme nga qeveria ruse”.

 

Avokatët e zonjës Griner thanë se do ta apelonin vendimin që ata thanë se ishte “absolutisht i paarsyeshëm”. Ekipi i saj mbrojtës tha se gjykata kishte injoruar të gjitha provat që ata kishin paraqitur, si dhe pranimin e fajësisë nga ana e saj.

Dënimi i saj mund të hapë rrugën për një shkëmbim të profilit të lartë të burgosurish mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke këmbyer 31 vjeçaren Griner si edhe ish-marinsin Whelan, me ish-tregtarin rus të armëve, Viktor Bout.

Russia Griner
Russia Griner

Zyrtarët rusë kanë thënë se nuk është arritur një marrëveshje për këtë çështje.

Shoqata amerikane e basketbollit tha në një mesazh në Twitter se ishte e zhgënjyer nga vendimi i së enjtes, por se do të mbetej e angazhuar me Departamentin e Shtetit në përpjekjet për ta kthyer baskebollisten Griner në Shtetet e Bashkuara./voa

 

Fraksion.com