Meta vizitë ngushëllimi në familjen Avdia: Minimumi ministrat përgjegjës duhet të kishin dhënë dorëheqjen uhet të ishin shkarkuar nga kryeministri
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar sot një vizitë ngushëllimi në familjen Avdia.
Pas vizitës në familjen Avdia, Meta tha se, të gjithë ministrat përgjegjës duhet të kishin dhënë dorëheqjen, ose të ishin shkarkuar nga kryeministri Edi Rama, së bashku me kreun e bashkisë së Vlorës.
“Minimumi të gjithë ministrat përgjegjës për zbatimin e vendimit të qeverisë duhet të kishin dhënë dorëheqjen, ose duhet të ishin shkarkuar nga kryeministri bashkë me kryetarin e bashkisë ku ka ndodhur kjo ngjarje”, u shpreh Meta.
Meta thekson se, është një vrasje e paralajmëruar, se kanë ndodhur raste të tilla edhe më përpara.
“Ishte një vizitë shumë e vështirë për arsye se është një rast i pangushëllueshëm, një tragjedi e jashtëzakonshme, tepër tronditëse, për çdo familje shqiptare, për çdo prind, për çdo baba, për çdo nënë, aq më tepër për familjen Avdiaj, për babanë që e përjetoi këtë tmerr aq pranë, për vëllanë e vogël; për të gjithë, për gjyshin, i cili mezi e kishte pritur mbesën që ajo t’i tregonte se kishte mësuar shqipen dhe t’i bënte shqiponjën. Është një rast i pangushëllueshëm, edhe pse jam i presionuar nga forca dhe karakteri i kësaj familjeje shqiptareje, për arsye se ishte një tragjedi që nuk ka asnjë justifikim nga askush, jo vetëm nga autori i papërgjegjshëm, por edhe nga shteti, nga qeveria e bashkia, pasi ekziston një legjislacion për sigurinë në plazhe, i cili nuk është respektuar në asnjë element të tij. Kjo është një vrasje e paralajmëruar, se kanë ndodhur raste të tilla edhe më përpara dhe askush nuk e ka vënë ujin në zjarr dhe në një moment kur duhet të shfaqet pendesa dhe marrja e vendimeve të qarta distancuese nga të gjithë drejtuesit e papërgjegjshëm në të njëjtin moment, na shpall se Shqipëria qenka e para në rajon, sa i përket sigurisë në plazhe. Nuk ka tallje dhe fyerje më të madhe për të gjithë popullin shqiptar, i cili e ka përjetuar këtë tragjedi të jashtëzakonshme të familjes Avdia, si një tragjedi të vetme”, tha ai.
Meta deklaroi se, qytetarët duhet t’i bashkohen protestës, për të shprehur solidaritetin me familjen Avdia.
“Çdo qytetar duhet t’i bashkohet kësaj proteste, jo vetëm për të shprehur solidaritetin më këtë familje fisnike, por për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhme, sepse nuk është e para që ndodh për shkak të papërgjegjshmërisë së shtetit. Kemi patur dhe fatkeqësi të tjera dhe në mënyrë që t’u japim fund të gjitha këtyre fatkeqësive dhe të kemi shtetin që parandalon e që mbron qytetarët e tij dhe të gjithë, duhet të jenë sot në këtë protestë”, tha ai.
Fraksion.com