CDU kërkon vendim të shpejtë për mbajtjen e centraleve bërthamore
Kryetari i CDU-së Friedrich Merz ka bërë thirrje për një vendim të shpejtë të Bundestagut për mbajtjen e centraleve bërthamore gjermane.
CDU/CSU janë gati të bëjnë shpejt ndryshimet përkatëse legjislative. Ato besojnë se ndryshimet legjislative të nevojshme për të zgjatur jetëgjatësinë e termocentraleve duhet të miratohen nga Bundestagu para fundit të gushtit. Duke marrë parasysh kohën që duhet për të porositur shufra të reja katodike, është e kuptueshme pse është kaq e rëndësishme të merren vendimet në gusht, tha Merzi. “Në shtator gjendja bëhet kritike, në Krishtlindje është e pamundur”.
Shefi i CSU-së, Markus Söder, i cili shoqëronte Merz-in, kërkoi që termocentralet bërthamore të mos vazhdojnë të funksionojnë vetëm për tre muaj në vitin e ri, por të paktën deri në vitin 2024. “Gjermania është në një emergjencë energjetike,” tha Söder-i. Në dimër, duhet të llogaritet jo vetëm mungesa e gazit, por edhe e energjisë elektrike. Söder-i tha në drejtim të qeverisë federale: “Është koha për të vepruar dhe jo për t’u qarë apo për të marrë me taktika”.
Sipas legjislacionit aktual, tre termocentralet e fundit gjermane “Isar 2” në Bavari, “Neckarwestheim 2” në Baden-Württemberg dhe “Emsland” në Saksoninë e Ulët do të mbyllen në fund të vitit.
Në pranverë, pas një verifikimi, qeveria gjermane refuzoi mbajtjen në punë të reaktorëve bërthamorë. Megjithatë, ajo nisi një test të dytë stresi për sektorin e energjisë. Rezultatet paraqiten brenda disa javësh. Verifikimi do të fokusohet në sigurinë e furnizimit në dimër, në rast mungese energjie në vendet fqinje dhe me një fokus të veçantë në Bavari./dw
Fraksion.com