AktualitetBota+Të fundit

Kryetarja Pelosi largohet nga Tajvani ndërsa Kina kryen manovra ushtarake share Kryetarja Pelosi largohet nga Tajvani ndërsa Kina kryen manovra ushtarake

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, u takua me udhëheqësit politikë të Tajvanit në kryeqytetin Taipei, të mërkurën, ndërsa Kina shprehu pakënaqësinë për vizitën duke kryer manovra ushtarake pranë territorit që e pretendon si të sajin. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Brown përcjell materialin në vazhdim.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi mbërriti në Tajvan të martën vonë për të takuar Presidenten Tsai Ing-wen, duke u bërë zyrtarja më e lartë amerikane në 25 vjet që viziton ishullin e vetëqeverisur të pretenduar nga Kina.

“Shpresoj të jetë e qartë se ndërsa Kina ka diktuar pjesëmarrjen e Tajvanit në takime të caktuara, ata e kuptojnë se nuk do të pengojnë njerëzit që vijnë në Tajvan. Kjo është një shfaqje miqësie, mbështetjeje, por edhe një mundësi për të mësuar se si mund të punojmë më mirë së bashku. Pra, mendoj se ata bënë një bujë të madhe sepse unë jam kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve. Nuk e di nëse ishte një arsye apo justifikim sepse ata nuk kanë thënë asgjë kur kanë ardhur burrat”, tha zonja Pelosi.

Gjatë vizitës, presidentja Tsai i dhuroi zonjës Pelosi një medalje për kontributin e saj në territorin e ishullit.

Duke folur më vonë në Parlament, zonja Pelosi tha se e konsideronte një nder të madh që të quhej një “mike e mirë” e Tajvanit, duke shtuar se ajo dhe delegacioni i kongresit që e shoqëroi erdhën në Tajvan me një qëllim të caktuar.

“Në vizitat tona si delegacione të Kongresit, ne kemi tre qëllime. E para është siguria, siguria për njerëzit tanë, siguria globale. E dyta është ekonomia, për të përhapur sa më shumë mirëqenie. Dhe e treta është qeverisja”.

Bazuar në përgjigjen e saj, Kina kishte një interpretim të ndryshëm të vizitës së zonjës Pelosi, duke nisur një seri operacionesh të përbashkëta ushtarake rreth ishullit të martën mbrëma si hakmarrje për atë që Pekini e quajti një përshkallëzim të madh të të akteve negative kohët e fundit nga Shtetet e Bashkuara për çështjen e Tajvanit, dhe një paralajmërim serioz kundër aktiviteteve separatiste që kërkojnë atë që e quajti “pavarësia e Tajvanit”.

Administrata e presidentit Biden dhe zonja Pelosi thonë se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj të ashtuquajturës politika e një Kine, e cila njeh Pekinin, por lejon marrëdhëniet informale dhe lidhje për çështje të mbrojtjes me Taipein.

“Ne thamë se nuk e mbështesim pavarësinë e Tajvanit. Dhe ne thamë, siç e përsërita dje, se presim që dallimet ndërmjet ngushticës të zgjidhen me mjete paqësore. Dhe këtë ia kemi komunikuar drejtpërdrejt Kinës në nivelet më të larta, duke përfshirë këtu telefonatën e javës së kaluar mes Presidentit Biden dhe Presidentit Xi”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Por mbetet e paqartë nëse mosmarrëveshja për vizitën e zonjës Pelosi në Tajvan do të errësojë ndalesat e mëparshme në Singapor dhe Kuala Lumpur, ku presidenti Biden tha se ajo tashmë ka kryer disa biseda të rëndësishme./VOA

 

Fraksion.com