AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

“Shqiptarët punojnë për oligarkët”; Çmimi i qumështit,Tabaku: Heqja e taksave do ishte zgjedhja dhe zgjidhja!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar për rritjen e çmimit të bulmetit, i cili do të shitet më shtrenjtë duke filluar nga sot.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Tabaku tha se shqiptarët po punojnë për oligarkët, ndërsa qeveria ka mbledhur nga rritja e çmimeve 170 mln euro më shumë në buxhetin e shtetit nga taksat.

Më tej, Tabaku tha se qeveria duhet të heqë disa taksa për të ndihmuar qytetarët, por sipas saj diçka e tillë nuk po ndodh. Ajo shton se qeveria po aplikon politika të ngjashme si në kohë lufte dhe në kohë paqe.

“Shqiptarët punojnë për oligarkët/qeveritarët

Për shqiptarët çmimi qumështit dhe nënproduktet e tij do të rritet edhe më tej këtë javë. Çmimi qumështit shkon në thuajse 200 lek ndërkohë që priten të rriten nënproduktet e tij.

Arsyeja pas kësaj rritje të dytë lidhet me kostot e larta të produkteve të para.

Dikush mund të argumentojë se lufta në Ukrainë ka rritur çmimet dhe për rrjedhojë kostot e biznesit. Askush nuk mohon ndikimin e luftës.

Por kjo e fundit mbetet alibi derisa qeveria ka mbledhur nga rritja e çmimeve 170 mln euro më shumë në buxhetin e shtetit nga taksat. Ku shkojnë këto të ardhura?!

Në një vend ku 1 ndër 3 shqiptarë nuk e ka të sigurtë vaktin a nuk do ishte një politikë me sens rishpërndarja e të ardhurave që rriten prej inflacionit?! Patjetër që po!

Madje më e logjikshme do të ishte heqja e disa taksave që aplikohen në konsum ashtu që shqiptarët të kenë më shumë në kuletën e tyre. Heqja e talsave do qe zgjedhja dhe zgjidhja!

Fatkeqësisht jo! Qeveria aplikon politika të ngjashme si në kohë lufte dhe në kohë paqe! Pse?! Sepse me taksat e inflacionuara ajo paguan PPP/Koncesione.

Merrni inceneratorin e Tiranës që do të indeksohet me normën e inflacionit. Pra 30% e shqiptarëve mezi paguajnë bukën e tyre kurse inceneratori Tiranës merr milionat shtesë nga arka e shtetit.

A punojnë shqiptarët për oligarkët/qeveritarët që janë kthyer në mish e thua?!

Shifrat thonë që po! Njësoj dhe arka e shtetit! Padyshim dhe xhepi shqiptarëve”, shkruan Tabaku.

Fraksion.com