Balluku: Ndërtimi i autostradës Milot-Fier, rreth 2000 të punësuar e 400 milionë euro përfitim
Aksi rrugor Milot-Fier do të jetë autostrada e parë në Shqipëri që do të ketë shpejtësi maksimale që arrin deri në 130 km në orë.
Zv/kryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku tha sot se, “tashmë jemi gati për të nisur një projekt me rëndësi madhore për infrastrukturën dhe ekonominë e vendit, Korridorin Blu, me aksin Milot-Fier”.
Duke marrë fjalën në takimin mbi prezantimin e projekteve strategjike në infrastrukturën e vendit, që u zhvillua sot në Tiranë, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, Balluku theksoi se, aksi rrugor Milot-Fier është një projekt jo vetëm kombëtar, po edhe rajonal e europian.
“Ky projekt është pjesë e European Connectivity Network, i cili lidh Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë me unazën mesdhetare, që sot për sot ndalet në jug të Kroacisë, por ndërkohë lehtëson pafundësisht edhe lidhjen me Kosovën, si edhe afron ndjeshëm Veriun me Jugun e Shqipërisë”, deklaroi Balluku.
Balluku vuri në dukje se, Korridori Adriatiko-Jonian, ose i njohur si Korridori Blu, është një nga sfidat më të mëdha të qeverisë Rama. Ky korridor është pjesë e korridorit të madh Mesdhetar 1550 km i gjatë. Në pjesën e Shqipërisë Korridori Blu përshkon 300 km, ose 37% e Korridorit Blu dhe 7.5% e Korridorit Mesdhetar.
Ajo tha se, Korridori Adriatiko-Jonian, do të lidhë Evropën e Veriut, Italinë me Evropën Juglindore që nis me Kroacinë, Malin e Zi etj. Ky korridor lidh Jugun me Veriun e vendit, por lidhet edhe me korridoret evropiane, duke i krijuar mundësi Shqipërisë për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Balluku soll në vëmendje se, para dy vitesh është bërë dhe studimi i fizibilitetit për këtë aks.
“Hapëm tenderin dhe pati shumë interes nga kompanitë ndërkombëtare, por më pas nisi pandemia dhe patëm një tërheqje të financuesve, sepse bankat u tërhoqën për shkak të pasigurisë. E shtymë disa herë afatin e këtij procesi. Edhe një ofertë u skualifikua, pasi nuk plotësoi kriteret teknike. Kompania ofertoi për ndërtimin e rrugës me 90 muaj, që nuk përputhej me kërkesat e qeverisë për përfundimin e ndërtimit në 60 muaj”, informoi Balluku.
Balluku tha se, “tashmë kemi vendosur që një pjesë të Korridorit Blu, 114 km e parë nga Miloti deri në Fier, Milot-Thumanë, Kashar-Lekaj e Rrogozhinës, Lekaj-Fier do të jenë akset përbërëse të këtij korridori i lançojmë sot për garën ndërkombëtare për ndërtimin e tyre. Do e segmentojmë duke iu dhënë më shumë mundësi kompanive që të garojnë”.
“Për segmentin tjetër Thumanë-Kashar ka nisur puna, ndërsa për segmentin tjetër Milot-Murriqan po presim projektimin nga konsulentët”, shtoi ajo.
Ministrja bëri të ditur se, ky aks do të ketë edhe rrugë dytësore, teksa shpjegoi se “në autostradën e re që do të ndërtohet e tipit A, shpejtësia do të jetë nga 90 deri në 130 kilometra/orë”.
“Zhvillimi i këtij projekti do të ketë një sërë përfitimesh ekonomike. Rritje e ndjeshme e punësimit, më shumë siguri rrugore, kosto më të ulët për transportin, rritje të turizmit pasi shkurtohen distancat nga Veriu në Jug. Do të ketë një ndikim të ndjeshëm në tregtinë e jashtme dhe ekonominë e vendit”, tha Balluku.
“Projekti pritet të ketë impakt pozitiv ekonomik 400 milionë euro, si dhe do të punësojë 2000 persona”, informoi ministrja.
“Në 4 vite kem dorëzuar një sërë projektesh të rëndësishme që prej vitesh qëndronin rrugëve, duke nisur nga ajo Tiranë-Elbasan, Bypass Fier, Bypass i Vlorës, i Tepelenës dhe i Shkodrës. Më në fund kemi dorëzuar edhe rrugën Kardhiq-Delvinë”, theksoi ajo.
Ajo tha se, “vazhdon puna për rrugën Orikum-Dukat, Korçë-Ersekë, tunelin Llogorasë, ku në 7 muaj ka ecur me 3 km dhe parashikojmë të vijojmë me rrugën turistike Palasë-Dhërmi”.
Fraksion.com