AktualitetBota+Të fundit

Separatistët thonë se bombardimet vranë të burgosur ukrainas të luftës

Separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore thanë se të paktën 40 të burgosur ukrainas të luftës të kapur gjatë luftimeve për qytetin e Mariupolit, janë vrarë nga bombardimet e ushtrisë ukrainase.

Daniil Bezsonov, një zëdhënës i separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonin e Donetskut, tha se të paktën 40 të burgosur lufte u vranë dhe 130 u plagosën të premten kur bombardimet ukrainase goditën një burg në qytetin Olenivka.

Trupat ukrainase u kapën rob pas luftimeve të ashpra për portin e Mariupolit në Detin Azov të Ukrainës. Ata ishin strehuar në fabrikën gjigante të çelikut Azovstal për muaj të tërë.

Regjimenti Azov dhe njësi të tjera ukrainase mbrojtën fabrikën e çelikut për gati tre muaj, duke u strehuar në tunelet e saj nëntokësore. Ata u dorëzuan në muajin maj nën sulmet e pamëshirshme ruse nga toka, deti dhe ajri.

Dhjetëra ushtarë ukrainas u dërguan më pas në burgje në zonat e kontrolluara nga Rusia si rajoni Donetsk, një zonë e shkëputur në Ukrainën lindore e cila drejtohet nga autoritetet separatiste të mbështetura nga Rusia.

Ushtria e Ukrainës mohoi të ketë kryer sulmin në burgun e kontrolluar nga separatistët dhe fajësoi forcat ruse.

“Forcat e armatosura të Federatës Ruse kryen bombardime me artileri në një institucion korrektues në vendbanimin Olenivka, rajoni i Donetskut, ku mbaheshin edhe të burgosur ukrainas”, tha në një deklaratë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

“Në këtë mënyrë, pushtuesit rusë ndoqën qëllimet e tyre kriminale – të akuzojnë Ukrainën për kryerjen e ‘krimeve të luftës’, si dhe të fshehin torturimin e të burgosurve dhe ekzekutimet…”

 

Fraksion.com