AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në kantierin e Portit të ri të Vlorës: Brenda gushtit instalohen dy anije prodhuese të energjisë elektrike

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot kantierin e Portit të Ri të Vlorës.

“Porti i Ri i Vlorës do jetë një port i integruar ku përveç anijeve të mallrave do të ankorohen anijet e peshkimit, tragetet e udhëtarëve, ndërkohë që brenda gushtit do të instalohen dy anije prodhuese të energjisë elektrike”, tha Rama.

Rama deklaroi se, ky është një kantier me një rëndësi të jashtëzakonshme.

“Një port që më në fund meriton këtë emër në shekullin 21, sepse qoftë ai që kemi të trashëguar, qoftë dhe ky i peshkatarëve, janë parkime ujore mesjetare dhe së dyti, sepse këtu sistemohet gjithë flota e peshkimit në kushte krejt të tjera, ndërkohë që me programin e mbështetjes së industrisë së peshkimit ne do të vazhdojmë të financojmë qoftë riparimin e anijeve apo blerjen e anijeve të reja, së treti, kjo do të rrisë fluksin e tregtisë përmes detit. Së katërti, edhe për pasagjerët do të bëhet diçka me standarde”, tha ai.

Rama theksoi se, do të kemi një port turistik që do të jetë një nga perlat e Mesdheut.

“Njëkohësisht kemi një port turistik nga ana tjetër që do të jetë një nga perlat e Mesdheut dhe që do të sjellë një tjetër zhvillim ekonomik, ose do fusë një tjetër motor për zhvillimin ekonomik për Vlorën dhe për gjithë industrinë e turizmit në Shqipëri”, tha ai.

Rama shtoi se, këtu jemi në një zonë ku po merr jetë pak nga pak programi më ambicioz i qeverisë për sa i përket energjisë.

“Kjo që ndodh në dy javët e ardhshme me futjen e 110 megavatëve të tjerë përmes detit është vetëm një hap i kësaj situate emergjence botërore, sepse kemi ardhur në pikën tani ku jo vetëm çmimi i energjisë ka ikur në stratosferë, por ka filluar ajo që kemi lajmëruar me kohë, rënia e volumit të mundshëm për t’u blerë. Pra nuk jemi thjeshtë në kushtet kur çmimi është marramendës, por jemi në kushtet që do jetë shumë vështirë që ta gjejmë. Ndërkohë ne po marrim masat që Shqipëria të hyjë në një fazë tjetër, duke u bërë sovrane nga pikëpamja energjetike dhe duke u kthyer në eksportuese neto. Kemi një fazë këtu tranzicioni që na duhet t’i bashkojmë të gjitha gjërat që janë përgatitur për kaq kohë dhe të krijojmë këtë sienergji”, tha ai.

Rama shtoi se, ishte edhe në Athinë ku u takua me Princin e Kurorës të Arabisë Saudite, i cili e ka ftuar të shkojë atje, sepse pati një ndalesë në Athinë në një vizitë të reduktuar për arsyet e tyre objektive.

“Kështu ndalesa e Shqipërisë u shty për një moment të dytë. Sidoqoftë ne u takuam dhe aty u lidh marrëveshja për të sjellë interkonjeksionin nga Arabia Saudite në Greqi dhe për t’i shitur Greqisë dhe kësaj zone dhe pastaj ata duan të shtrihen më tej në Itali, etj., për të shitur energjinë diellore që kanë në plan ta prodhojnë me sasira marramendëse. Kështu jemi në kushte pozitive, por ajo që vlen është se për disa vite nuk do të kemi më nevojë të importojmë, ne do eksportojmë”, tha Rama.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i shpjegoi kryeministrit ecurinë e punës në Portin e Ri të Vlorës.

“Jemi në zonë e Triportit. Sapo kemi filluar të ngremë kantierin këtu për të nisur projektin e portit të integruar të Vlorës. Ndodhemi 3 km distancë nga porti ekzistues. Ky është një projekt që kemi prej kohësh në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe po punojmë për të. Tashmë gjithçka ka përfunduar sa i përket kontratës dhe të gjitha hapave të tjerë. Jemi gati për të ngritur kantierin. Jemi në fazat finale për të mbyllur të gjitha lejet dhe gjithçka tjetër dhe kjo kontratë do të zgjasë për 3 vite, duke nisur nga tetori i 2022-shit deri në tetor të 2025-s”, tha Balluku.

“Ky është një investim prej 59 milionë euro i cili do të kontribuojë në ndërtimin e 133 vendparkimeve për anijet e peshkimit dhe dy anije sa i përket transportit të qytetarëve dhe 1 anije për transportin e mallrave, që do të vendosen në gjithë këtë zonë. Në këtë sipërfaqe 110 mijë m2 do të ketë një sërë projektesh të tjera, është parashikuar të jetë një zonë ekonomike në zhvillim. Këtu do të bëjmë gjithë planin për thellimin e portit, duke krijuar kështu të gjitha kushtet dhe komoditetet për operime”, u shpreh ajo.

Balluku shtoi se, veçoria e kësaj kontrate që është e bazuar mbi instrumentin e PPP është se për herë të parë shteti nuk do të ketë asnjë angazhim financiar deri kur projekti të mbarojë totalisht dhe më pas do fillojnë të paguhet këstet e investimit nga vetë operimet e portit.

Balluku tha se për tri javë vijnë dhe ankorohen dy anije që do të prodhojnë energji 55 megavat-orë secila, pra në total 110 megavat-orë për t’u shpërndarë në sistemin tonë të energjisë elektrike. Në këto moment është një nga zgjidhjet më të suksesshme që mund t’i jepet vendit. Ka qenë shumë e vështirë në treg që të gjendeshin këto dy anije që do operojnë në Shqipëri për tre vitet e tjera.

“Janë të pajisura me certifikatën e Bankës Botërore për sa i përket ndotjes ambientale, pra plotësojnë të gjitha kushtet sipas kritereve të BB”, tha ajo.

 

Fraksion.com