Qytetarët rrisin depozitat në valutë
Valutat vazhdojnë të jenë për një pjesë të madhe të shqiptarëve, monedhat e preferuara në depozitat bankare.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, në muajin qershor të këtij viti, depozitat bankare në monedhë të huaj u rritën me 0.78% me bazë mujore
Sipas BSH-së, ndikimin më të madh në totalin e kursimeve në valutë e dhanë korporatat financiare dhe më pak individët.
Për të dyja llojet e monedhave që janë më të përdorshmet në tregun vendas (euro dhe dollar) rritja ka ardhur nga llogaritë pa afat, teksa normat e ulëta të interesit nuk nxisin mbajtjen e kursimeve me afat të gjatë. Por, pas dy vendimeve të fundit të Bankës së Shqipërisë për rritjen e normës bazë, nga niveli minimal historik prej 0.5% në 1.25% aktualisht pritet që të kenë të njëjtën tendencë edhe interesat e depozitave duke nxitur sidomos individët që të mbyllin kursimet në afate më të gjata.
Me bazë vjetore (qershor 2022/qershor 2021), depozitat janë rritur me 8.1%. mbi 80% e kësaj rritjeje ka ardhur nga kursimet në valutë (efekti real është dhe më i lartë pasi depozitat në euro raportohen në lekë dhe ka një efekt nënvlerësimi si rrjedhojë e rënies së euros).
BSH-ja bën të ditur se, në totalin e depozitave bankare, kursimet në valutë në fund të qershorit zunë 56.1%, nga 53.8% në të njëjtin muaj të një viti më parë.
Fraksion.com